(Përditësuar, ora 14:18)Të martën, ish-anëtari i UÇK-së, Sejdi Veseli e ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë, në gjykimin për krime lufte që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës.
Në sesionin e fundit, gjatë rimarrjes në pyetje nga ana e prokurorit Filipo Deminiqes, i cili e ka pyetur për urdhrin që u diskutua gjatë marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes së akuzuarit Mustafa.
“Në faqen 35 e shpjegoni që ishte urdhër për të arrestuar një operativ që kishte vjedh miell që kishte destinacion të përdorej nga njerëzit. Ju u përgjigjët që ishte mirë urdhri të shkruhej me shkrim meqenëse fjalët i merr era”, ka thënë Deminiqes.
Ai ka pyetur a është në gjendje të thotë se të gjithë urdhrat e arrestimit që janë nxjerr nga komandantët e UÇK-së gjatë vitit 1999 janë bërë me shkrim.
Kurse, dëshmitari tha se nuk e di çfarë kanë bërë të tjerët, por ai e ka bërë me shkrim, dhe se ka qenë i vetmi urdhër ky i tij e se gjithmonë do ta bënte me shkrim.
Pas pyetjeve plotësuese të prokurorit, dëshmitarit i ka parashtruar një pyetje plotësuese edhe mbrojtja.
“Urdhri që përmendi prokurori pak çaste më parë që e keni nxjerr ju a ishte praktikë e zakonshme që urdhrat e tillë t’i bënit me shkrim”, pyeti avokati.
“Ajo s’ka ndodh hera e parë ka qenë ajo, që s’domethënë që do të kishte raste tjera, se tjetër sen nuk meritojnë njerëzit që i vjedhin bukën popullit. Hajni dihet vendin ku e ka, ne pikndalimi s’kemi pas”, ka thënë dëshmitari.
Kurse, tha se urdhrin e ka bërë krye në veti, por është dashur ta ndaloj një gjë të tillë pasi ka vjedhur bukën e popullit dhe nuk pendohet që e ka bërë këtë urdhër, kurse për personin ndaj të cilit ishte lëshuar urdhri tha se nuk e di a është ndaluar apo jo.
Dëshmitari Veseli ka thënë se urdhri është urdhër, ai protokollohet dhe urdhri me shkrim jepet në ushtri, përveç urdhrave në vijë të frontit që jepen verbalisht.
Tutje, ai është përgjigjur në pyetje të trupit gjykues, ku deklaroi se konfiguracioni i terrenit të Gollakut është i tillë që është më lehtë të mbrohet se në qytet dhe kudo tjetër, andaj është zgjedhur si lloj strehimi apo bazë nga njësiti BIA.
“Pse konkretisht bëhej fjalë për ushtarët e BIA që shkonin për tu strehuar atje dhe jo psh ushtarët e Brigadës 153”, ka pyetur kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia.
“Kur kam kry naj aksion në qytet edhe unë jam tërhek diku në fshat për mu strehue një kohë”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, dëshmitari tha se ushtarët e BIA-së janë radhitur me një vijë në front me Brigadën 153, por kanë qenë njësi në vete dhe secila njësi ka programin e vet, veprimet taktike të veta dhe ka qenë normale që të jetë e ndarë, si në çdo ushtri tjetër.
“Ajo që pashë dhe do ta them dhe nuk hezitoj ta them se njëri bën sikur është ushtri ushtarake dhe rrinë në bjeshke dhe nuk kyçet në fushëbetejë për mua nuk është në rregull, këtë keni thënë kur ju bë pyetje se çka ka bë BIA që ta mendoni si pjesë të pisët dhe keqe të historisë. Unë ju pyes çka keni dashur të thoni me këtë”, pyeti Veldt- Foglia.
“Unë programin e tyre nuk e kam dit dhe s’kam dasht me interferu në punën e tyre ata e kanë dit punët e veta, por një e di dhe e kam thënë çdo herë kanë qenë ushtar të UÇK kanë pas programin e vet, komandën e vet dhe në bazë të programit kanë bërë veprime taktike që u dasht. Kur ka ardh puna te ofensiva ushtarët e BIA që kanë qenë të strehum në atë kompleks jon bashku me brigadën 153 në vijë fronti dhe atë në Viti të Marevcit”, tha dëshmitari.
Gjykatësja sërish ka kërkuar sqarim për deklarimin e dëshmitarit Veseli për njësitin BIA.
“Unë për që kam thënë vinë mu strehu, ata nuk kanë ardh që kanë punu në bujqësi por në pjesë luftarake. Ata kanë ardh, ka mujt me qenë llapsuz dhe mund me ndodh te përkthimi. Unë dje kur e kam pa transkriptin kam pa cfarë gabime katastrofale ka, dhe konstrukt të fjalive ka. Po e them troç kanë qenë pjesëtar të UÇK-së sikurse kam qenë unë, kanë pas komandën e vet, s’ka qenë detyrë e imja me përcjell çka punojnë ata, as s’kam leju mu mem përcjell çka punon brigada 153, janë rregulla ato”, tha dëshmitari.
Tutje, tha se askush nuk mund t’ua mohoj se kanë luftuar dhe se në Zllash nuk kanë ardh për piknik, por me u rehabilitu nga luftimet.
“Guerrila e qytetit e ka detyrën shumë të rëndë, shumë vështirë është puna në qytet. Qyteti ka qenë i rrethuar dhe i vëzhguar nga snajperët, numër i madh i njerëzve janë vra tu dasht me ardh në Gollak nga paramilitarët dhe militarët serb”, ka thënë Veseli.
“Ju garantoj që përkthimin kujdesemi në mënyrë të mirë dhe çdo që thoni në shqip pasqyrohet qartë në versionin anglisht”, ka thënë gjyqtarja.