Ish-ambasadori i Kosovës, Lulzim Peci ka reaguar pas deklaratave të ministres në detyrë të Drejtësisë Albulena Haxhiu për mos reagimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e gjyqtarit Radomir Laban, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s serbe.
Drejtori i KIPRED Lulzim Peci në një postim në Facebook ka shkruar se “të deklarohet dikush si rrezik për siguri kombëtare nga krerë të shtetit është një precedent shumë i rrezikshëm”, raporton KosovaPress.
“Kjo puna kur gabimeve apo disfatave iu qitet biber i një patriotizmi të lodhët – sado absurde që duket – për t’u shitur si viktimë që nuk zbaton padrejtësitë, i bën dëm vendit më shumë se kushedi sa bashkëpunëtorë të BIA-s. Bashkëpunëtorët e BIA-s zihen, nxirren para gjykatave dhe dënohen – me kaq mbaron kjo punë! Mirëpo, pa vendim gjyqësor të bëjmë thirrje dhe të deklarohet dikush si rrezik për siguri kombëtare nga krerë të shtetit është një precedent shumë i rrezikshëm, i cili mund të na përplaset fytyrës,” ka shkruar ai.
Përkundër kësaj, sa i përket mospajtimit të Lëvizjes Vetëvendosje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e legjislaturës së nëntë, Lulzim Peci ka thënë se “mospajtimi me vendimin e gjykatave mund të jetë edhe legjitim, mirëpo nëse nuk zbatohet, në këtë rast vendimi i Gjykatës kushtetuese, ai është në rastin më të lehtë thyerje e ligjit e në më të rëndin, krim.”
Ndryshe, sot në një konferencë për media, ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se emërimi i Radomir Laban si gjyqtar i Kushtetueses mbetet enigmë e madhe, pasi ai ka qenë i përfshirë në aktivitetet kriminale dhe ishte dënuar në Serbi me gjashtë vjet heqje lirie.
“Vetë i akuzuari si agjent i BIA-së ka pranuar fajësinë para gjykatës. Serbia ka përdorur historikisht dhe përdorë edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinjë, e sidomos Republikën e Kosovës. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Bazuar në informacionet që i kanë institucionet relevante, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, dyshohet se është njëri nga bashkëpunëtorët e BIA. Gjatë vitit 2006 ishte pjesë e doganave të Serbisë, zyrtarë në njësinë për inteligjencë. Sipas të dhënave që dihen publikisht ai është përfshirë në aktivitete kriminale dhe ishte dënuar me 6 vjet heqje lirie. Ky rast besohet kur BIA e ka kompromituar dhe ia ka organizuar zhvendosjen në Kosovë. Mënyra se si është dënuar nga vuajtja e dënimit në Serbi është enigmatike. Enigmë e madhe mbetet edhe emërimi i tij dhe qëndrimi i tij në pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.