Ish-ambasadori i ShBA-së në Beograd, William Montgomery ka deklaruar se nuk ka dialog të vërtet mes Beogradit dhe Prishtinës i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evrpian.
E për këtë, Montgomery e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për shkak se sipas ish-ambasadorit Montgomery, Kurti ka provokuar vazhdimisht dhe nuk është shprehur i gatshëm për të respektuar marrëveshjet e arritura.
Ai ka thënë për Kosovo Online se Beogradi, Prishtina dhe BE-ja thjesht po pretendojnë se po ndodh diçka që ka të bëjë me dialogun, transmeton lajmi.net.
Montgomery ka bërë “avokatin” e Serbisë duke thënë se kjo e fundit bën lëshime deri sa pala tjetër nuk respekton marrëveshjet e arritura mes dy shteteve.
“Pra, të gjithë palët po flasin për dialog, por nuk janë të përfshirë seriozisht në të. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja do ta kishin menduar seriozisht ndryshimin e situatës, do të kishin reaguar shumë më ashpër ndaj veprimeve të Kurtit. Fakti që ata nuk kanë reaguar, ka treguar dobësi dhe mungesë vendosmërie”, ka thënë Montgomery.
Tutje, ish-ambasadori amerikan në Serbi nuk ka kursyer kritikat ndaj Kurtit, duke thënë se ai nuk ka ndonjë politikë se si të përmirësohet standardi i jetesës në Kosovë apo si të tërhiqen investimet e huaja.
“E gjithë politika e Kurtit bazohet në nxitjen e urrejtjes ndaj serbëve dhe frikës ndaj tyre, për këtë arsye ai paralajmëron provokime të reja për të kënaqur bazën e tij të mbështetjes”, ka thënë Montgomery.
Montgomery ka deklaruar se edhe pse çështja e Kosovës është e rëndësishme për Serbinë për të ecur drejtë BE-së, standardi i jetës së qytetarëve serbë është duke u rritur.
“Realiteti është se çështja e Kosovës është e rëndësishme për Serbinë dhe është pengesë për përparimin e saj drejt BE-së. Por standardi i jetesës dhe të ardhurat për kokë banori në Serbi po rriten. Beogradi është qyteti më dinamik në rajon, po përparon ekonomikisht dhe zhvillimi infrastrukturor mbijeton vetëm falë ndihmës ndërkombëtare dhe dërgesave nga jashtë”, ka thënë Montgomery.
Në fund, ish-ambasadori amerikan ka deklaruar se Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë që të ketë mundësi të përparojë.