Ish-ambasadori amerikan në Kroaci, Bullgari, Serbi e Mal të Zi, Ëilliam Montgomery ka bërë një tjetër deklaratë ndaj Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk i intereson për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kosova Online” raporton se Montgomery ka qortuar diplomacinë perëndimore për përpjekjet që t’i jepet një zgjidhje dialogut Kosovë-Serbi.
Ish-ambasadori amerikan ka deklaruar se nuk ka informacione për atë që po diskutohet gjatë vizitave të vazhdueshme të diplomatëve ndërkombëtarë rreth dialogut, por bazuar në atë që ka parë, ai thotë se ajo që është bërë deri më tani ka qenë përpjekje për të zgjidhur probleme individuale, në mënyrë që të parandalohet një konflikt i mundshëm.
“Problemi i krijuar nga BE-ja është kapitulli 35 i negociatave me Serbinë që ka të bëjë me Kosovën dhe duhet të ishte kapitulli i fundit që do të hapej pasi u mbyll gjithçka tjetër, se anëtarësimi në BE garantohet kur të zgjidhet çështja e Kosovës. Kjo do të bënte presion të vërtetë mbi Serbinë. Tani nuk ka asnjë presion, pasi anëtarësimi i Serbisë në BE është larg për shumë arsye, shumë prej të cilave nuk kanë të bëjnë fare me Serbinë – domethënë, shumica e vendeve të BE-së nuk duan zgjerim të mëtejshëm”, tha ai.
Siç raporton mediumi në fjalë, Montgomery ka folur edhe për kryeministrin Albin Kurti, për të cilin ka deklaruar se nuk i intereson për “mirëqenien” ekonomike të territorit të tij, sepse është i fiksuar me Serbinë për arsye politike dhe personale.
“Serbia në anën tjetër, nuk ka arsye që të pajtohet pasi ka një ekonomi në rritje dhe shumë çështje të tjerë me të cilat duhet të merret. BE-ja nuk ka asgjë konkrete për t’i ofruar Serbisë për këtë koncesion për momentin”, ka thënë ai.
Montgomery edhe më herët është shprehur qortues ndaj Perëndimit për trajtimin e Kosovës.
Ai madje kohëve të fundit ka thënë se Perëndimi po e mbështet padrejtësisht Kosovën.
“Nëse politika aktuale e BE-së dhe ShBA-së vazhdon ta favorizojë Kurtin, përgjegjësia për çdo dhunë të mundshme që ndodh është në shpirtrat e tyre”, kishte deklaruardiplomati amerikan.