Sot në Mynih është zyrtarizuar themelimi i Fondacionit “Leotrim Ahmeti”, një nismë e cila ka marrë formë pas muajsh punë dhe angazhimi të komunitetit shqiptar dhe miqve gjermanë. Lajmin e ka bërë të ditur afaristi Isak Neziri, i cili ka falënderuar të gjithë bashkatdhetarët dhe donatorët që mbështetën iniciativën pa hezitim, shkruan Scanner.
Neziri ka shprehur mirënjohje të veçantë për Bahri Ahmetin, vëllain e të ndjerit Leotrim Ahmeti, si dhe për familjen Ahmeti, të cilët ndanë historinë e tyre të dhimbshme dhe frymëzuan themelimin e fondacionit që synon të përjetësojë kujtimin e Leotrimit dhe të gjithë fëmijëve të vrarë gjatë luftës.
Fondacioni ka për qëllim të kthejë dhimbjen në mbështetje konkrete për fëmijët, nxënësit dhe studentët në Kosovë, duke u krijuar atyre më shumë mundësi në arsim dhe zhvillim.
Në ceremoninë e mbajtur në Mynih morën pjesë edhe donatorë e personalitete si Clemens Baumgärtner nga CSU në Munich, Deli Balidemaj, Bahri Cani si dhe shumë bashkombas të tjerë, të cilët u vlerësuan për mbështetjen e tyre të palëkundur.
Organizatorët theksuan se ky është vetëm fillimi i punës me qëllim që fëmijëve të Kosovës t’u ofrohet më shumë dritë, më shumë mundësi dhe një të ardhme më e mirë.
Postimi i plotë:
Sot u zyrtarizua themelimi i Fondacionit “Leotrim Ahmeti” në Mynih, një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë ne që kemi punuar me muaj për ta sjellë në jetë këtë nismë. Falënderoj përzemërsisht bashkatdhetarët, miqtë gjermanë dhe të gjithë donatorët që na përkrahën me besim e pa hezitim.
Mirënjohje e veçantë për Bahri Ahmetin, vëllain e Leotrimit, dhe gjithë familjen Ahmeti, të cilët me forcë dhe dinjitet ndanë historinë e dhimbshme me ne, duke bërë të mundur lindjen e idesë për ta përjetësuar emrin e Leotrimit dhe kujtimin e të gjithë fëmijëve të vrarë gjatë luftës. Në emër të kësaj kujtese, fondacioni synon ta kthejë dhimbjen në mbështetje konkrete për fëmijët, nxënësit dhe studentët e sotëm në Kosovë duke u krijuar mundësi më të mira për arsim dhe zhvillim.
Falenderim i posaçëm për donatorët dhe miqtë që morën pjesë sonte si Clemens Baumgärtner nga CSU në Munich, Deli Balidemajn, Bahri Canin si dhe shumë bashkombas të tjerë për kontributin dhe qëndrimin e tyre të palëkundur ndaj kësaj kauze.
Ky është fillimi i punës sonë, me qëllim që fëmijëve të Kosovës t’u sjellim më shumë dritë, më shumë mundësi dhe një të ardhme më të mirë.
https://www.facebook.com/share/p/1ATPZrQVhY/






