Isa Mustafa, në një intervistë për Gazetën Express, ka folur për zhvillimet e ekonomisë në Kosovë, për të cilën, Qeveria Kurti për katër vjet me radhë ka pasur rrëfimin e saj.
Nw njw intervistw pwr Gazetwb Express, politikani dhe ekonomisti veteran që ka mbajtur edhe postin e Kryeministrit në dekadën e kaluar, u është përgjigjur edhe pyetjeve për përballjen me inflacionin, pretendimet e Qeverisë për zhvillim ekonomik në vend, Ligjin për Çmimet Tavan, shtesat 100 euro për disa kategori kosovar etj.
Mustafa thotë se rritja ekonomike aktuale, rreth 4% është e ulët dhe nuk siguron standard të nevojshëm të jetesës dhe konkurrues me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Varfëria është dy herë me e lartë se papunësia”, shton Mustafa.
Sipas Mustafës, inflacioni nuk zbutet me shtesa 100 eurosh, por me rritjen e të ardhurave në sektorin publik, si dhe zhvillimin e sektorit privat.
Tutje, Mustafa ka thënë se Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike, e jo vetëm të krahasohet me vendet e Ballkanit.
Ish-kryeministri i Kosovës kritikoi kryeministrin aktual Albin Kurtin për qasjen ndaj bizneseve të mëdha, duke thënë se këto biznese numërohen me gishta.
“Në Kosovë mund të numërohen në gishta kompanitë e mëdha private. Ato luajnë një rol të madh në punësim dhe në mbushjen e arkës së shtetit nga tatimet. Përdorimi pezhorativ i fjalës oligark për bizneset e mëdha është pasojë e mentalitetit që është në kundërshtim me ekonominë e lirë të tregut” ka thënë Mustafa
Intervistoi: Sefer Zogaj
Gazeta Express: Si e shihni rrjedhën e përgjithshme të ekonomisë në Kosovë gjatë vitit 2024?
Isa Mustafa: Rritja vjetore e ekonomisë për këtë vit, që vlerësohet se do të jetë rreth 4 për qind, është e ulët. Kjo rritje nuk siguron standard të nevojshëm të jetesës dhe konkurrues me vendet e Ballkanit Perëndimor, ato të tranzicionit që janë bërë pjesë e BE-së si dhe me mesataren e BE-së.
Gazeta Express: Qeveria e Albin Kurtit pretendon për suksese në zhvillimin ekonomik, rritje të buxhetit e të punësimit, si e shihni këtë? Rritje reale apo nominale?
Isa Mustafa: Rritja ekonomike është diktuar nga konsumi privat e më pak nga ai publik, si dhe nga deficiti i lartë tregtar. Në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) mbizotërojnë shërbimet me rreth 60 për qind. Ka mungesë të prodhimit, kurse varshmëria nga importi është rritur. Në vitin 2022 kemi qenë në nivel prej 27 për qind të mesatares së BE-së, matur me fuqinë blerëse të PBB (GDP PPP), kurse në vitin 2023 kemi rënë në nivel prej 25 për qind të mesatares së BE-së. Të theksoj se Mali i Zi qëndron në 50 për qind të mesatares së BE-së. Të dhënat për zvogëlimin e papunësisë nuk përkojnë me rënien e varfërisë, e cila është dy here më e lartë sesa papunësia. Të rinjtë nga mosha 15-24 vjeç, që nuk janë në arsim, punësim ose trajnim në vitin 2023 në Kosovë përbënin 35 për qind të kësaj moshe, që ishte mbi tre here më e lartë sesa ajo e Bashkimit Evropian ose rreth 2 herë më e lartë nga mesatarja e vendeve tjera të rajonit.
Gazeta Express: Ka ankesa publike qytetare për rritjen e çmimeve, si e shihni menaxhimin të inflacionit nga Qeveria Kurti?
Isa Mustafa: Inflacioni nga viti 2015 kur ishte i barabartë me 0 ose -0.5 për qind, i llogaritur nga viti në vit ka arritur 28.02 për qind në vitin 2023. Kjo është një rënie e madhe e fuqisë blerëse. Inflacioni më i madh u shënua në vitin 2022 (11.6%) . Nxitësit kryesor të inflacionit ishin çmimet e ngritura të ushqimit dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare që u shprehën edhe në çmime të ngritura të importit dhe rrjedhimisht konsumit. Ngritja e çmimeve nuk u përcoll me rritje apo indeksim të pagave. Çmimet e energjisë dhe të produkteve bazë u rritën mbi 50 për qind duke e varfëruar shportën e konsumit familjar duke e diktuar vetëm për këto nevoja.
Gazeta Express: Qeveria Kurti akuzon opozitën se duke e dërguar Ligjin për Çmimet Tavan në Gjykatën Kushtetuese ka ndikuar në këto çmime të larta, çfarë mendimi keni për këto akuza, por edhe për vetë Ligjin e vendosjes së çmimeve tavan në përgjithësi?
Isa Mustafa: Gjykata Kushtetuese e ka arsyetuar qartë aktgjykimin e saj në kontekstin e definimit kushtetues të sistemit ekonomik në Kosovë, si ekonomi e tregut të lirë. Gjykata kushtetuese nuk ka thënë se shteti në raste të caktuara nuk mund të ndërhyjë në mbrojtje të konsumatorëve, por se kjo duhet të bëhet përmes mekanizmave që parasheh kushtetuta dhe jo me ndërhyrje arbitrare të Ministrisë së Financave dhe të Qeverisë. Prandaj ky ligj ka mundur të rregullohet ashtu siç ka udhëzuar Gjykata Kushtetuese, por shihet qartë se pushteti më shumë ka qenë i interesuar të bëjë fushatë kundër opozitës dhe kundër Gjykatës Kushtetuese sesa ta zgjidhë problemin e çmimeve.
Gazeta Express: Kurti përdor terma si “oligarkët”, ku atakon shpesh biznese të mëdha, mendoni që kjo qasje e rrezikon klimën e të bërit biznes në Kosovë?
Isa Mustafa: Në Kosovë mund të numërohen në gishta kompanitë e mëdha private. Ato luajnë një rol të madh në punësim dhe në mbushjen e arkës së shtetit nga tatimet. Përdorimi pezhorativ i fjalës oligark për bizneset e mëdha është pasojë e mentalitetit që është në kundërshtim me ekonominë e lirë të tregut. Në të kundërtën ato duhet përkrahur. Na nevojiten më shumë kompani të mëdha, të cilat do të jenë konkurruese në tregjet e jashtme, aty ku konkurrencën nuk mund ta bëjnë mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla.
Gazeta Express: Një nga politikat e ekzekutivit të Kurtit është edhe ndarja e nga 100 euro herë pas herë për disa kategori shoqërore si fëmijët e pensionistët, në të njëjtën kohë akuzon Qeveritë e kaluara përfshirë edhe atë që ju keni drejtuar ( 2014-2017), që nuk ka pasur përkujdesje për këto kategori, si i përgjigjeni?
Isa Mustafa: Efektet negative të inflacionit zbuten vetëm me rritje të të ardhurave personale në sektorin publik dhe me politika ekonomike të cilat e mbështesin sektorin privat. Nuk ulet varfëria dhe nuk përmirësohet mirëqenia me 100 euro për fëmijë e pensionistë. Por me këto para mund të bëhet fushatë; mund të blihen vota.
Gazeta Express: A mendon që Qeveria e Kosovës është duke ndjekur një linjë etatiste centraliste ndaj ekonomisë?
Isa Mustafa: Programi qeveritar është i majtë. Rritja e papërballueshme e tatimit në pronë për bizneset sikurse edhe për qytetarët, shfrytëzimi i buxhetit për destinomë jozhvillimore, kërcënimet për konfiskim të pasurive dhe aseteve qoftë edhe nga burimet e remitencave që lidhen me dërgesat cash nga bashkatdhetarët, apo nga burimet e ekonomisë informale i bëjnë bizneset të ndihen të pasigurta për të investuar në zhvillim.
Gazeta Express: Cilat janë rekomandimet tuaj për vitin 2025 në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit, e sidomos përballje me inflacionin?
Isa Mustafa: Kosova duhet të ketë ambicie më të mëdha për rritje ekonomike dhe të mos kënaqet me krahasimet ballkanike. Së paku do duhej të pretendohet në rritje ekonomike vjetore prej 6 e më shumë për qind, e cila do të sigurohej me fuqizimin e prodhimit dhe të shërbimeve me vlerë të lartë shtuese, me ngritje të eksportit, rritje të produktivitetit me investime të huaja direkte dhe të brendshme publike dhe private. Janë këto objektiva zhvillimore të cilat mund të arrihen nga një qeveri e dijshme./gazetaxpress.com