Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil të Kosovës, Bujar Bukoshi, duke deklaruar se për të njëjtin ka shumë për të thënë porse sot, nuk mund të shkruajë gjatë, shkruan Gazeta Express
Mustafa në reagimin e tij të bërë në Facebook e ka cilësuar Bukoshin si ”kolos të pavarësisë”, dhe si një person që ka qenë i ditur, i drejtë dhe ‘‘i pastë si loti’’.
Ish-kryeministri Mustafa ka thënë edhe se është vështirë se mund të matet kontributi i Bukoshit, i cili ka punuar në ”kohë të pakohë”.
‘‘Sot nuk mund të shkruaj gjatë për Kryeministrin tim dhe Kryeministrin e Kosovës dr Bujar Bukoshi i cili iku nga kjo jetë Kam shumë për të thënë për njeriun që në kohët më të vështira drejtoi Qeverinë në ekzil, për njeriun që nuk u dorëzua asnjëherë sepse ishte i guximshëm, i ditur, i drejtë dhe i drejtpërdrejtë, i pastër si loti. Kontributi i tij vështirë se mund të matet, sepse punoi në kohë të pakohë, ku vetëm idealizmi për lirinë e Kosovës e drejtoi përpara. Bujari ishte dhe do të mbetet kolos i pavarësisë së Kosovës!’’, ka shkruar ai.
Përndryshe, Mustafa kishte shërbyer si Ministër i Financave në qeverinë e Bukoshit.
Bukoshi ishte emëruar kryeministër i Qeverisës së Kosovë në ekzil pas shpalljes së Republikës së Kosovës me 1991 dhe gati për një dekadë kishte punuar nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore për represionin serb në Kosovë.
Ndërsa sot, Bukoshi ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ai ishte një nga figurat më të njohura të skenës politike dhe shëndetësore të Kosovës.