Artan Nimani, kandidat për deputet nga Koalicioni për Familjen, ka qenë goxha kritik ndaj kryeministrit Albin Kurti për vizitat e tij në qytetin e Gjakovës, dhe hapjen e fushatës zgjedhore në këtë qytet.
Në emisionin Edicioni Special të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se Kurti ka vështirësuar jetën e qytetarëve të këtij qyteti, sipas tij, duke ndaluar ndërtimin e rrugëve, dhe projekte të ndryshme.
Ai thotë se Kurti karshi gjakovarëve del si “një ‘Mr.Bean’ humori i kthyer në një ‘Nastradin’”.
“Gjakova historikisht është qytet i vlerave, qytet i idealeve, qytet i luftërave për liri, qytet i kulturës e i artit dhe i intelektualizmit. Një qytet si tillë nuk mund të mashtrohet, nëse një herë i është besuar një personaliteti të caktuar, nuk ka rast të dytë për mashtrime. Një njeri i përgjegjshëm, një kryeministër i përgjegjshëm nuk do të duhej të vizitojë vendin të cilin gjatë gjithë kohës, gjatë katër viteve e ka lënduar pa ndërprerë në çdo hap të këtij rrugëtimi”.
“Aq shumë ka shumë ka dritëhije në orientimet e tija sa i takon Gjakovës, dhe Kosovës, unë mendoj jo vetëm që vizita, por edhe hapja e fushatës elektorale ishte fyerje për Gjakovën. Për shkak se për të shkuar në Gjakovë kryeministri është dashtë të kalojë në rrugën Dollc – Gjakovë të cilën e ka ndaluar së ndërtuari, është dashtë që të përballet me të gjitha ato elemente që e ka stagnuar konceptin e zhvillimit ekonomik, e ka fyer inteligjencën e Gjakovës duke anuluar projektet më të rëndësishme në Gjakovë, duke i fyer kategoritë e veçanta të luftës, kategoritë e lirisë, duke i fyer nënat gjakovare, dhe duke tentuar që tani ne ishim dikush tjetër, dhe tash jemi ardh në një personalitet tjetër”.
“Unë e kam thënë edhe më herët po e përsëris edhe një herë, Kurti nga një ‘Mr.Bean’ i humori është kthy në një ‘Nastradin’, që është i dëmshëm jo vetëm për Gjakovën, por është i dëmshëm për Kosovën”, ka thënë Nimani.