Ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, në një intervistë në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini.
Ai ka theksuar se, krahasuar me bombardimet e mëhershme, sulmet aktuale janë të përmasave shumë më të mëdha.
“Siç tha edhe presidenti Trump, objektivat janë shumë më të mëdha se më parë, kur qëllimi kryesor ishte ta sillnin Iranin në tavolinën e bisedimeve. Niveli i bombardimeve është jashtëzakonisht vdekjeprurës për Iranin. U përmend më herët Khomeini, ndërsa thuajse e gjithë elita politike dhe ushtarake e Iranit është vrarë dhe po bombardohen pothuajse të gjitha pikat ushtarake. Vetëm dje Izraeli ka bombarduar mbi 1000 caqe ushtarake”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, Irani e ka humbur luftën që në fillim, pasi SHBA-ja dhe Izraeli kanë pasur informacione të detajuara për lëvizjet e liderëve politikë dhe ushtarakë iranianë, si dhe për objektivat dhe rezervat ushtarake.
“Po duket se të gjitha i ka Mosadi, nuk ka diçka që nuk dinë”, është shprehur ai.
Arifi ka shtuar se inteligjenca izraelite dhe ajo amerikane kanë depërtuar thellë në sistemin iranian.
Ai gjithashtu ka deklaruar se, nëse Irani do të kishte në dispozicion një bombë atomike, do ta përdorte.
“Kjo i jep shumë kredibilitet kërkesave që kanë ekzistuar për ndalimin e ndërtimit të bombës atomike”, ka thënë Arifi.






