Irani rrezikon përjashtimin nga Botërori 2026 për shkak të situatës së tensionuar në vend.
Pas sulmeve të fundit amerikano-izraelite, prioritet i autoriteteve iraniane është menaxhimi i krizës dhe mbrojtja e jetëve të qytetarëve, ndërsa çështjet sportive kanë kaluar në plan të dytë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ka lënë të kuptohet se pjesëmarrja në turne është në pikëpyetje, duke theksuar se pas zhvillimeve të fundit është e vështirë të ketë optimizëm për Botërorin. Ndërkohë, edhe pse nuk ka një vendim zyrtar nga Irani apo FIFA, organizatorët e turneut që do të zhvillohet në ShBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori, kanë nisur të shqyrtojnë skenarë alternativë.
Sipas raportimeve, Iraku shihet si një nga kandidatët potencialë për të zënë vendin e Iranit në Grupin G, përkrah Belgjikës, Zelandës së Re dhe Egjiptit. Nëse ndodh ky skenar, Emiratet e Bashkuara Arabe mund të përfitojnë duke zëvendësuar Irakun, i cili aktualisht është i angazhuar në fazën “play-off” përballë Bolivisë ose Surinamit.
Deri tani nuk ka konfirmim për ndonjë vendim përfundimtar apo për ndarjen e një “wild card”-i për ndonjë përfaqësuese tjetër, ndërsa në fazën e play-off-it të marsit pritet të jetë pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova.






