Sipas lajmit të publikuar në televizionin “Al Arabiya” të Arabisë Saudite, Irani dhe Egjipti kanë rënë dakord për formimin e një komiteti të përbashkët për të normalizuar marrëdhëniet.
Teksa në lajm nuk është dhënë më shumë informacion, nga të dy palët nuk është bërë ende ndonjë deklaratë zyrtare.
Marrëdhëniet diplomatike mes Iranit dhe Egjiptit, u ndërprenë në vitin 1979 kur Kajro i njohu të drejtën e azilit Shahut të rrëzuar të Iranit Mohammad Reza Pahlavi dhe për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes Camp David me Izraelin.
Që nga ajo kohë e deri më tani marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur në përgjithësi në nivel të ulët.
Sulltani i Omanit, Haitham bin Tariq i cili ka bërë ndërmjetësimin mes Iranit dhe Egjiptit, në muajin maj vizitoi Kajron dhe Teheranin.
Lideri iranian Ali Khamenei në një fjalim të mbajtur më 29 maj, tha se do të presin me kënaqësi normalizimin e marrëdhënieve mes Teheranit dhe Kajros.
Pas kësaj edhe presidenti Ebrahim Raisi udhëzoi Ministrinë e Jashtme për zhvillimin e marrëdhënieve me Egjiptin.