Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar një informatë/ankesë përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) nga një qytetar në Gjilan për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 18 qershor 2025 në orët e mbrëmjes në qendër të Gjilanit pas raportimit të një incidenti paraprak dhe pas shoqërimit në polici të një qytetari i cili pretendon për tejkalim të autorizimeve policore dhe keqtrajtim nga dy zyrtarë policorë.
Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm etj.
Në interes të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshteri dhe një zyrtari policor) përderisa hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.