Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ka kryer një operacion monitorues në Graçanicë dhe Gazimestan, ku u mbajtën aktivitetet e komunitetit serb me rastin e manifestimit të “Vidovdanit”.
Sipas IPK-së, ekipet e tyre kanë qenë në terren që në orët e hershme të mëngjesit, duke vëzhguar nga afër menaxhimin e rendit publik dhe zbatimin e planit operativ të Policisë së Kosovës.
Në komunikatë thuhet se nuk është identifikuar asnjë sjellje e papërshtatshme apo parregullsi nga zyrtarët policorë, ndërsa sjellja e tyre është vlerësuar si profesionale dhe në përputhje me standardet policore dhe të drejtat e njeriut.
IPK gjithashtu ka vlerësuar pozitivisht planin operativ të Policisë, duke theksuar se është zbatuar në mënyrë efektive dhe ka kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.