Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, ka realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit kontrolle në dy lokacione të ndryshme në regjionin e Gjakovës.
Kontrollet janë kryer në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar ndaj disa zyrtarëve policorë, lidhur me dyshimet për përfshirje në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Gjatë realizimit të kontrolleve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.
Deri në këtë fazë të hetimit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) zyrtarë policorë të dyshuar në praninë e mbrojtësve të tyre ligjor.
Nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse.
Pasi që veprimet hetimore janë akoma duke u ndërmarrë, për masat dhe veprimet tjera që do të ndërmerren mediet do të njoftohen më vonë.