Sipas njohësve të ekonomisë, investitorët e huaj po hezitojnë të investojnë në Kosovë, shkaku i mungesës së sigurisë. E gjithë kjo po e dëmton edhe aktivitetin biznesor të shtetasve kosovarë.
Gjatë konferencave e mbledhjeve me ndërmarrës të huaj, Kosovën e paraqiti si mjedis me mundësi dhe potencial për investime.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti u bëri thirrje investitorëve për sjellje të bizneseve të reja në Kosovë.
Mirëpo përkundër thirrjeve të tij për investime direkte, një gjë e tillë po ndodhë me vështirësi.
Nga Oda Ekonomike Amerikane bëjnë të ditur se ka hezitim nga kompanitë për të investuar në Kosovë.
“Tashmë kemi raste ku kompani amerikane i shmangen bashkëpunimit me kompani nga Kosova për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë në vitet e fundit edhe kjo sërish për shkak të tensioneve në pjesën veriore të vendit”, tha Arian Zeka nga Oda Ekomonike Amerikane.
Raporti i DASH-it po ashtu vë në dukje se tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja.
E kjo sipas njohësve të ekonomisë po ndikon edhe në bizneset kosovare.
“Bllokada e fondeve të mëdha që kalojnë ndoshta shifra qindra milionëshe gjatë këtij viti, ka blloku edhe aktivitetin biznesor në vendin tonë. Ky është një indikator që në mënyrë direkte apo indirekte i ftoh investitorët e huaj potencial që janë të interesuar të investojnë në Kosovë”, tha njohësi i ekonomisë, Besnik Avdiaj.
Ndërsa situata në vend sipas Avdiajt përçon një mesazh tek të huajt.
“E çon një mesazh që institucionet tona nuk janë gati që t’ju ofrojnë siguri të plotë investimeve të huaja në Kosovë”, tha ai.
Tëvë1 ka kërkuar edhe nga BQK të dhëna lidhur me investimet e huaja në Kosovë gjatë këtij viti, mirëpo të njëjtët deri në publikimin e kronikës nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Investimet e Huaja mbeten të kufizuara, ndërsa dërgesat nga diaspora vazhdojnë të përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm të Kosovës.