21.4 C
New York
Wednesday, September 24, 2025

Buy now

Investime dhe energji e gjelbër, kryefjala e Kosova Energy Forum 2025

- Advertisement -

Kosova Energy Forum dhe Green Business Expo 2025, hapën ngjarjen dy ditore në Prishtinë, duke ofruar një platformë për diskutime mbi sektorin energjetik dhe zhvillimin e bizneseve të qëndrueshme. Ngjarja bashkoi përfaqësues të institucioneve vendore, ambasadorë të huaj, bizneset lokale dhe partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e tranzicionit energjetik në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës, theksoi rëndësinë e energjisë për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Energjia është jo vetëm një sektor ekonomik. Ajo është themel i zhvillimit, garanci e pavarësisë, dhe bazë e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Forumi i sotëm e bën të qartë: nuk jemi vetëm duke diskutuar për teknologji apo financa, por për vetë të ardhmen e qyteteve tona”, tha ai.

Rama shtoi se Prishtina po merr rolin që i takon si kryeqytet ku lindin idetë e reja dhe ku përqafohen praktikat e qëndrueshme.

“Partneriteti ynë me vendet mike, me institucionet ndërkombëtare dhe me biznesin lokal, është dëshmi se nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Sot, këtu, kemi një aleancë për të ardhmen. Prishtina është gati të bëhet laborator i gjallë i inovacionit të gjelbër – një qytet që jo vetëm e përqafon tranzicionin energjetik, por e udhëheq atë në rajon”, tha ai.

Ambasadori i Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz, theksoi rëndësinë e liberalizimit të tregut të energjisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Luksemburgu dhe Kosova ndajnë një partneritet të fortë dhe në rritje, të ndërtuar mbi besim, bashkëpunim zhvillimor dhe një vizion të përbashkët për një ekonomi më të gjelbër dhe më rezistente. Energjia nuk është thjesht një sektor teknik. Ajo është shtylla kurrizore e rritjes dhe mirëqenies shoqërore. Një furnizim i besueshëm dhe i përballueshëm me energji është thelbësor për inovacionin, për tërheqjen e investimeve dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, tha Dietz.

Ai shtoi se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një domosdoshmëri strategjike që nxit konkurrencën, tërheq investime private dhe përshpejton tranzicionin drejt energjisë së pastër.

“Duke e hapur tregun për aktorë të rinj – diellore, erë dhe burime të tjera të ripërtëritshme – ne përshpejtojmë kalimin drejt objektivave të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së dhe angazhimeve globale për klimën. Ulja e emetimeve të gazrave serrë nuk është vetëm një përgjegjësi, por edhe një mundësi për të modernizuar industrinë dhe për të krijuar vende pune cilësore”, tha ai.

Christian Böttcher, Zëvendës Ambasador i Ambasadës Gjermane në Kosovë, foli për përparimet dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e energjisë.

“Vetëm vitin e kaluar, Gjermania dhe Kosova nënshkruan një partneritet dypalësh për klimën dhe energjinë, një sinjal i qartë i angazhimit tonë të përbashkët për një të ardhme të qëndrueshme dhe me pak karbon. Fondi për Efiçiencën e Energjisë në Kosovë, i mbështetur nga BE-ja dhe nga bashkëpunimi ynë, ka përmirësuar mijëra shtëpi në mbarë vendin. 2,800 shtëpi tashmë janë më të ngrohta në dimër, më të freskëta në verë, shpenzojnë shumë më pak energji dhe ulin faturat për familjet. Këto përpjekje kursejnë më shumë se 85 gigavat-orë energji çdo vit, ulin rreth 32 kilotonë të emetimeve të CO2 dhe kanë angazhuar drejtpërdrejt mbi 1,600 kompani vendore, me shumë të tjera të përfshira përgjatë zinxhirit të vlerës”, tha Böttcher.

Sergiy Maslichenko, Drejtor i BERZH-it në Kosovë, foli për sfidat në furnizimin me energji elektrike dhe nevojën për investime.

“Dhe pse është kjo problem? Sepse për investitorët, nëse flasim për sjelljen e investitorëve të rinj dhe më shumë kapital në vend, furnizimi me energji elektrike është pyetja numër një. Pra, furnizimi i qëndrueshëm dhe idealisht i gjelbër me energji është domosdoshmëri për investitorët. Kështu që, përveç nëse kjo KEC modernizohet ose mbyllet sipas planit dhe strategjisë energjetike deri në vitin 2050, nuk pres që të ketë shumë interes nga investitorët e mëdhenj dhe me reputacion në vend”, tha ai.

Maslichenko dha shembullin e një investitori potencial që dëshironte të ndërtonte një qendër të dhënash në Kosovë.

“Javën e kaluar, në fakt, pata një takim të mirë me një investitor potencial që dëshironte të investonte në një qendër të dhënash. Pra, ata donin të ndërtonin një qendër të dhënash në Kosovë, të cilën aktualisht nuk e kemi. Dhe pyetja numër një për qendrat e dhënash – ju e dini, konsumues të mëdhenj energjie për ftohje dhe për mbajtjen e serverëve funksionalë 24 orë – është furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike. A e kemi atë? Me kë mund të nënshkruhet një marrëveshje? Nuk ka askënd, ende. Ka shumë plane, ka shumë perspektiva. BERZH gjithashtu po punon me disa projekte, por nuk ka ende askënd. Kështu që një qendër e të dhënave nuk mund të ndërtohet për momentin, sepse nuk ka furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, tha ai.

Maslichenko nënvizoi se sfidat janë të ngjashme edhe për sektorin e prodhimit.

“Ky është vetëm një shembull. Është për sektorin e TIK-ut, por e njëjta gjë vlen edhe për sektorin e prodhimit. Për prodhim, ju duhet të mbani linjat e prodhimit aktive gjatë gjithë ditës, pa ndërprerje të energjisë”, tha ai

Të ngjashme

Të fundit