Zëvëndëskryesuesi për Komunitete në Kuvendin Komunal në Fushë-Kosovë, Bashkim Krasniqi, ka thënë se gjendja e komuniteti egjiptian në Kosovë vazhdon të jetë sfiduese.
Krasniqi ka thënë se ky komunitet ballafaqohet probleme në arsim, punësim, infrastrukturë dhe mirëqenie sociale.
Duke folur në një intervistë për Gazetën SCANNER, Krasniqi, i cili është edhe nënkryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, ka thënë se janë duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e të drejtave të komunitetit që përfaqëson
“Aktualisht kemi funksion dhe dakordim shumë të mirë me institucionet e nivelit lokal. Jemi duke u munduar me forcat tona të jemi sa më afër komunitetit dhe kërkesave të tyre, jemi të vetëdijshëm që komuniteti ka kërkesa të shumta të natyrave të ndryshme dhe kjo na vështirëson punët tona”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se do ta vazhdojnë të jenë afër komunitetit, pavarësisht sfidave të mëdha.
Më tej, Krasniqi ka folur edhe për bashkëpunimin me nivelin qendror të qeverisjes në raport me përkrahjen e minoriteteve.
Ai ka thënë se përveç premtimeve, niveli qendror nuk i ka dalë në ndihmë komunitetit egjiptian.
“Të them të drejtën për momentin jemi duke hasur në shumë vështirësi. E them këtë për shkak që niveli qendror aktualisht nuk ka pasur mbështetje me projekte në interes të komunitetit egjiptian dhe kjo është shumë shqetësuese për arsye se qytetarët në përgjithësi e sidomos komunitetet janë mashtruar me premtimet e tyre për një jetë më të mirë”, ka deklaruar Krasniqi.
Intervista e plotë me Bashkim Krasniqin:
Gazeta SCANNER: Z. Krasniqi si është gjendja e përgjithshme e komunitetit që përfaqësoni?
KRASNIQI: Komuniteti egjiptian ka shtrirje pothuajse në gjithë Kosovën. Gjendja e komunitetit egjiptian vazhdon të jetë e vështirë dhe shumë sfiduese në fusha të ndryshme si në arsim, punësim, infrastrukturë, mirëqenie sociale, etj., e bazuar në këtë ne mundohemi që me përkushtim maksimal të jemi zë i fuqishëm në institucionet lokale dhe qendrore për t’i prezantuat këto probleme me të cilat ballafaqohet komuniteti jonë.
Gazeta SCANNER: Me çfarë vështirësisë është duke u ballafaquar ky komunitet?
KRASNIQI: Ashtu si e ceka më lartë komuniteti jonë ballafaqohet pothuajse me të gjitha vështirësitë, mirëpo ato të cilat janë më të rëndësishme dhe me të cilat ne i trajtojmë me prioritet janë arsimi, punësimi, shëndetësia, mirëqenia sociale dhe infrastruktura.
Gazeta SCANNER: Sa është i njoftuar komuniteti që përfaqësoni me të drejtat e tij ligjore dhe kushtetuese?
KRASNIQI: Të drejtat ligjore dhe kushtetuese që kanë komunitetet në Kosovë mund të them që janë ligjet më të mira në botë, mirëpo me keqardhje më duhet të them se shumica e këtyre ligjeve janë të fuqishme vetëm në letër dhe nuk praktikohen dhe nga kjo vështirësitë tona janë më të dukshme dhe ne si përfaqësues e kemi më të vështirë. Ne vazhdimisht mundohemi që ta njoftojmë komunitetin me të drejtat që ju takojnë dhe kjo vazhdon të jetë një nga punët tona që kemi në teren në vendbanimet që kanë shtrirje komuniteti jonë.
Gazeta SCANNER: A është i integruar komuniteti që përfaqësoni në jetën shoqërore, politike dhe institucionale?
KRASNIQI: Mendoj që po, mirëpo jo në nivel të kënaqshëm, sepse kemi raste që ende ballafaqohemi me padrejtësi shoqërore e institucionale. Racizmi si dukuria më e pa dëshiruar vazhdon të jetë në mesin e shoqërisë tonë. Ligjet të cilat na garantojnë përfaqësim në institucione nuk respektohen. Pra duke pasur parasysh të gjitha këto jep të kuptojmë se shtetit tonë të dashur Kosovës i duhet të jetë më përgjegjës në të drejtat tona të cilat na garantojnë ligjet.
Gazeta SCANNER: A jeni të kënaqur me përkrahjen e nivelit lokal dhe qendror në lidhje me realizimin e të drejtave të komunitetit tuaj?
KRASNIQI: Folëm shumë për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, shpresoj shumë që përkrahja e nivelit lokal dhe qendror në lidhje me realizimin e të drejtave tona duhet të jenë më konkrete dhe të prekshme, sepse qytetarët vazhdojnë të shpresojnë që të respektohen të drejtat e tyre në shoqërinë kosovare, në rrugë dhe sidomos nga institucionet lokale e qendrore.
Gazeta SCANNER: A është duke i realizuar niveli qendror dhe ai lokal zotimet për komunitetin tuaj?
KRASNIQI: Të them të drejtën për momentin jemi duke hasur në shumë vështirësi. E them këtë për shkak që niveli qendror aktualisht nuk ka pasur mbështetje me projekte në interes të komunitetit egjiptian dhe kjo është shumë shqetësuese për arsye se qytetarët në përgjithësi e sidomos komunitetet janë mashtruar me premtimet e tyre për një jetë më të mirë, e që tani as nuk japin mbështetje dhe mundohen të jeni edhe pengesë e projekteve të cilat dëshiron t’i financojë niveli lokal. Pra jemi duke u ballafaquar me një situatë aspak të lehtë.
Gazeta SCANNER: Personalisht, a keni hasur në mirëkuptimin e institucioneve sa i takon kërkesave për një jetë më të mirë për komunitetin që përfaqësoni?
KRASNIQI: Aktualisht kemi funksion dhe dakordim shumë të mirë me institucionet e nivelit lokal. Jemi duke u munduar me forcat tona të jemi sa më afër komunitetit dhe kërkesave të tyre, jemi të vetëdijshëm që komuniteti ka kërkesa të shumta të natyrave të ndryshme dhe kjo na vështirëson punët tona. Përkundër të gjitha këtyre që i cekëm më lartë ne do të vazhdojmë të jemi afër kërkesave të komunitetit tonë duke llogaritur në bashkëpunim të ngushtë me nivelin lokal, ku shpresojmë që institucionet tona qendrore, po ashtu lokale në tërë Kosovën të jenë më bashkëpunues dhe të kenë gatishmëri për të bashkëpunuar dhe për ti realizuar kërkesat tona të cilat janë kërkesa në interes të komunitetit.
*Kjo intervistë është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i bashkëpunimit komunitar në Kosovë: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komuniteteve”, i cili mbështetet nga Zyra për Çështjen e Komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës.