Redaktorja e Radio Televizionit të Kosovës, Blerta Foniqi-Kabashi, është degraduar në pozitë pas intervistës që zhvilloi në muajin korrik me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli e cila ishte ashpërsuar gjatë intervistës, pasi Kabashi e kishte pyetur për raportimet e VOX Kosovës, ku thuhej se burri dhe familjarët e saj kishin përfituar mijëra euro nga buxheti i shtetit.
Sipas burimeve të VOX-it, degradimi është bërë me kërkesë të ushtruesit të detyrës së kryeredaktorit të RTK-së, Blerim Haxhiaj, i njohur për afërsinë e tij me Vetëvendosjen, meqë edhe ky si familja e Pacollit, kishte përfituar mijëra euro nga grantet e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Ndërkaq pas intervistës së transmetuar në RTK, deputetja Fitore Pacolli kishte sulmuar publikisht gazetaren, duke e akuzuar se kishte “mision të porositur nga jashtë” dhe duke aluduar për ngritjen e saj në karrierë.
Reagimi i Pacollit u cilësua i paprecedent nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili e quajti sulmin “personal, të rrezikshëm dhe kërcënues për lirinë e medias”.
Pavarësisht përpjekjeve, VOX nuk ka arritur të sigurojë një prononcim nga Haxhiaj, i cili nuk ishte i qasshëm në telefon gjatë ditës së enjte. Ndërkohë, VOX-i merr vesh se gazetarja Kabashi është ankuar për këtë vendim, duke e cilësuar atë si një hakmarrje profesionale ndaj saj.
Në muajin shtator, Kabashi u përball me një Komision Disiplinor, për shkak se kishte transmetuar një reagim të AGK-së dhe të dhjetëra OJQ-ve që mbështesnin gjashtë redaktorët e larguar arbitrarisht nga RTK. Falë profesionalizmit të anëtarëve të Komisionit, vendimi doli në favor të saj.
Megjithatë, gjatë tetorit, menaxhmenti i RTK-së, duke mos i besuar më gjykimit të Komisionit, vendosi vetë për “gabimet” e saj, duke e larguar nga edicioni qendror i lajmeve të orës 19:30, ku për 15 vjet me radhë Kabashi kishte qenë redaktore.
Arsyeja ishte transmetimi i një lajmi nga raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili, si çdo vit, trajtonte edhe situatën në Kosovë.
Blerim Haxhiaj, i cili ishte iniciatori i këtij degradimi, kishte zhvilluar në korrik një intervistë me kryeministrin Albin Kurti, intervistë e cila u kritikua për pyetjet e buta dhe mungesën e qasjes kritike ndaj kreut të ekzekutivit.
Burime brenda RTK-së tregojnë se përçarjet brenda njerëzve të afërt me VV-në janë thelluar, pasi të ashtuquajturit “të katapultuar politikisht” po luftojnë mes vete për pozita udhëheqëse.
Në njërën anë janë Hysen Hundozi dhe Fadil Hoxha, të cilët për vite janë paraqitur si “sindikalistë”, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë Rilind Gërvalla dhe Blerim Haxhiaj, të cilët po përpiqen të dëshmohen më shumë ndaj partisë për të fituar besimin e saj.
Sipas burimeve, aktualisht në RTK “nuk ka zot shtëpie”, ndërsa lufta për pushtet mes grupeve rivale po zhvillohet pa asnjë rregull. Fati i Blerta Foniqi-Kabashit, siç duket, është bërë simbol i presionit politik ndaj zërave kritikë brenda televizionit publik.
Ndryshe, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë zhvilluar një protestë të enjten para RTK-së për shkak të mosekzekutimit të pagave.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, ka paralajmëruar grevë dhe përshkallëzim të protestave.






