Interi po lëviz në heshtje për të mos mbetur i papërgatitur për një nga skenarët më të papritur të merkatos: largimin e Hakan Calhanoglu.
Në ambientin zikaltër mbizotëron një përzierje habie dhe pakënaqësie për zërat që rrethojnë të ardhmen e mesfushorit turk, por klubi ka vendosur të mos i lë asgjë rastësisë.
Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e Interit kanë identifikuar tashmë një emër të madh si zëvendësues të mundshëm: Granit Xhaka, lideri 32-vjeçar i Bayer Leverkusenit dhe një nga figurat kyçe të sezonit historik të ekipit gjerman.
Kontaktet e para me kampin e Xhakës janë bërë dhe sinjalet janë pozitive. Terreni duket i favorshëm, por koha mund të bëhet vendimtare: mesfushori i Zvicrës nuk është i gatshëm të presë pafundësisht dhe në Gjermani nuk mungojnë zërat se ai mund të vendosë të qëndrojë tek Leverkuseni, pas dy sezonve të shkëlqyera.
Për momentin, gjithçka është në fazat fillestare, edhe sepse e ardhmja e Calhanoglu mbetet ende e hapur.