![Interi i hakmerret Fiorentinës dhe i bëhet hije Napolit në krye Interi i hakmerret Fiorentinës dhe i bëhet hije Napolit në krye](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot-2025-02-10-224102-780x439-1.jpg)
Interi ka shënuar fitore ndaj Fiorentinës me rezultat 2-1, në kuadër të ndeshjes së fundit të javës së 24-të të Serie A.
Zikaltërit e nisën më mirë takimin, duke rrezikuar fillimisht me Lautaro Martinezin, por topi i goditur nga argjentinasi gjeti shtyllën.
Në minutën e 28-të, u zhbllokua ndeshja, kur mbrojtësi Marin Pongracic shënoi në portën e tij për 1-0. Ky gol u kontestua shumë nga mysafirët, pasi sipas tyre topi gjatë aksionit kishte kaluar vijën.
Pa u mbyllur pjesa e parë, Fiorentina fitoi penallti, ku nga pika e bardhë ishte i saktë Rolando Mandragora që mposhti Yann Sommerin për 1-1.
Por, Interi e donte fitoren dhe arriti sërish të merrte epërsinë në minutën e 52-të, kur Carlos Augusto asistoi te Marko Arnautovic që shënoi për 2-1.
Pjesa tjetër e ndeshjes, nuk solli raste dhe Interi mori fitoren e 16-të sezonale, ku tani me 54 pikë është në vendin e dytë.
Fiorentina mbetet e gjashta me 42 pikë.