Interi është finalisti i parë i Superkupës së Italisë në futboll.
Në gjysmëfinale, të enjten mbrëma në Riad të Arabisë Saudite, Interi fitoi 2:0 ndaj Atalantas.
Sfida u vendos në pjesën e dytë. Të dy golat i shënoi mbrojtësi holandez Denzel Dumfries.
Ai shënoi për 1:0 në minutën e 49-të dhe për 2:0 në minutën e 61-të.
Atalanta shënoi në minutën e 72-të përmes Edersonit, por goli u anulua për pozitë jashtë loje, pas ndërhyrjes së VAR-it.
Berat Gjimshiti luajti prej minutës së 62-të për Atalantan.
Tek Interi, Kristjan Asllani hyri në lojë në minutën e 68-të në vend të Hakan Çalhanoglut.
Gjysmëfinalja e dytë mes Juventusit dhe Milanit zhvillohet të premten prej orës 20:00.
Finalja është të hënën.