Interi është tashmë bashkëkryesues i Serie A, së bashku me Romën, pas fitores bindëse 2-0 ndaj Lazios, falë golave të Lautaro Martínez dhe Ange-Yoan Bonny.
Zikaltrit vinin pas dy fitoreve më të vështira se sa pritej ndaj Veronës dhe Kairat Almaty, ndërkohë që Henrikh Mkhitaryan, Matteo Darmian dhe portieri Raffaele Di Gennaro mungonin, kurse Marcus Thuram ishte vetëm në stol.
Nga ana tjetër, lista e gjatë e mungesave të Lazios përfshinte Nuno Tavares, Matteo Cancellieri, Taty Castellanos, Samuel Gigot, Nicolò Rovella dhe Fisayo Dele-Bashiru, ndërsa Alessio Romagnoli kaloi testin mjekësor dhe luajti titullar.
Lazio ishte e pamposhtur në gjashtë ndeshje dhe kishte mbajtur katër porta të paprekura radhazi, por kjo ecuri mori fund brenda tre minutash në “San Siro”.
Alessandro Bastoni i mori topin Gustav Isaksen dhe pasoi për Lautaro Martínez, i cili, me një goditje jo të pastër nga brenda zonës, e dërgoi topin në trekëndëshin e largët. Ishte goli i tij i dytë për këtë javë, por i pari në pesë ndeshjet e fundit të Serie A.
Martínez pati edhe një mundësi tjetër, kur goditi me kokë mbi traversë pas një goditjeje dënimi nga Federico Dimarco, ndërsa Mattia Zaccagni u përpoq të barazonte me një gjuajtje që kaloi mbi portë nga jashtë zonës.
Petar Sucic goditi jashtë shtyllës së largët pas një krosimi të Nicolò Barella, ndërsa Manuel Akanji gjuajti mbi portë pas një pasimi të mirë nga Denzel Dumfries.
Pas pushimit, Yann Sommer ndali një gjuajtje të Matteo Guendouzi, ndërsa Lautaro Martínez gaboi sërish pas një kombinimi të bukur me Barella.
Interi e dyfishoi epërsinë pak më vonë: Dimarco dha një pasim të shkëlqyer nga krahu i majtë dhe Ange-Yoan Bonny e shtyu topin në rrjetë nga afërsia.
Një gol i Piotr Zielinski në minutën e 66-të u anulua pas rishikimit të VAR-it, për shkak të një prekjeje me dorë nga Dimarco në aksionin e ndërtimit.
Pedro gjuajti pak jashtë me një goditje gjysmëvole, ndërsa Mario Gila ishte shumë pranë golit kur goditja e tij me kokë u përplas në shtyllën e brendshme, por teknologjia e vijës së portës konfirmoi se topi nuk kishte kaluar plotësisht vijën.
Ivan Provedel ndali një goditje të fortë diagonale nga Carlos Augusto, ndërsa në anën tjetër Sommer bëri një pritje vendimtare ndaj Luca Pellegrinit, pas një pasimi të mrekullueshëm nga Zaccagni.
Një fitore e rëndësishme për Interin, që e sheh tani në krye të renditjes, krahas Romës, ndërsa Lazio pëson humbjen e parë pas një serie të gjatë pozitive.
Interi është i pari me 24 pikë, aq sa ka edhe Roma, mirëpo Interi është më i mirë në ndeshje direkte, por edhe me goldallim.






