Me një tabelë të shahut para vetes, më 15 janar të vitit 2021, gazetarja Jeta Xharra dhe aso kohe kryesindikalisti i RTK-së, Fadil Hoxha, paralajmëronin se loja po bëhet interesant.

Pasi në atë kohë loja nuk u bë interesant, sepse Fadil Hoxha nuk arriti të bëhet drejtor i Përgjithshëm në RTK.
U dasht të kalonin disa vjet prej këtij takimi ‘shahu’, që loja edhe të mund të jetë më interesante

Kjo pasi Fadil Hoxha, prej sindikalistit, u kthye në menaxhment si këshilltar i U.D Drejtorit të Përgjithshëm.
Në fakt, për të gjitha këto ka alarmuar drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili.
Me disa Emaile të cilat ai thotë se i shkuan gabimisht, Halili ka bërë të ditur se pa konkurs, BIRN dhe Jeta Xharra, pritet të kthehen në Radiotelevizionin Publik të Kosovës.
Halili ka publikuar disa Emaile, ku specifikohen kushtet të cilat duhet t’i zbatojë BIRN-i, duke thënë se ka shkelje të mëdha ligjore, madje e ka quajtur edhe procedurë korruptive.
“Më 6 gusht 2025, kam pranuar në mënyrë të paqëllimshme një email që ishte dërguar në adresën time gabimisht. Pas shqyrtimit të tij, identifikova probleme serioze lidhur me mundësinë e shkeljes së Ligjit për RTK. Emaili, i dërguar në kuadër të një strukture të brendshme të RTK-së, përmbante udhëzime të detajuara nga Udhëheqësja e Zyrës Ligjore në RTK, për ta favorizuar një subjekt privat ( produksion i jashtëm) duke e udhëzuar atë mbi mënyrën e përgatitjes së aplikimit dhe përmbajtjen e kërkesës për aplikim në RTK. Ky proces nuk është diskutuar apo miratuar në asnjë mbledhje të menaxhmentit”, ka shkruar Halili fillimisht.
Jeta Xharra dhe BIRN pritet të kthehen në RTK si produksion i jashtëm. Por, Halili ka thënë se nuk ka pasur asnjë procedurë.
“Sipas nenit 12 të Ligjit për RTK (Ligji Nr. 04/L-046), produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes konkursit publik. Në këtë rast nuk ka pasur konkurs, çka përbën shkelje të procedurave të ligjshme dhe të parimit të konkurrencës së hapur për projektet që financohen nga fondet publike ose përmes hapësirës publike me pagesë. Ky veprim është veçanërisht shqetësues në rrethanat kur RTK po përballet me sfida të mëdha financiare dhe punëtorët ende nuk i kanë marr pagat e muajit korrik. Përgatitja e një kërkese të personalizuar për një subjekt të veçantë, pa hapur garë publike, dëmton integritetin institucional dhe besimin e publikut”, ka shkruar drejtori i Radio Kosovës më tutje.
Sipas Halilit, produksioni i njëjtë ka fituar në RTK në të kaluarën, mbi 2.2 milionë euro.
“Nga të dhënat zyrtare rezulton se në të kaluarën, ky subjekt ka përfituar mbi 2.2 milionë euro nga RTK përmes marrëveshjeve të dyshimta antiligjore madje edhe pa procedurave të rregullta të prokurimit publik. Ftoj anëtarët aktualë të Borditl të RTK-së organet tjera mbikëqyrëse, Agjencinë kundër Korrupsionit, hetuesinë dhe Prokurorinë që të shqyrtojnë menjëherë këtë rast me elemente serioze korruptive, të verifikojnë procedurat dhe të garantojnë transparencën në çdo bashkëpunim të ardhshëm. Ky reagim bazohet në fakte dhe dokumente të verifikueshme, të cilat janë të gatshme për t’u paraqitur tek çdo institucion kompetent”, ka shkruar Halili më tutje.
Reagimi i Halilit vjen një ditë pasi Fadil Hoxha në cilësinë e gazetarit hulumtues, publikoi disa gjetje të tij lidhur me largimin e Jeta Xharrës në RTK, duke e ndërlidhur me korporatën Devolli. Kjo duket të ketë qenë përgatitje e terrenit pas zhvillimeve për të cilat foli Halili.
Por, vetëm pak kohë më parë, Fadil Hoxha, nuk i kishte të njëjtat fjalë për Jeta Xharrën. Thoshte se Xharra kur të dojë, mund ta falimentojë RTK-në.
“RTK çdo vit duhet me shpall tender publik për me ua mundësu produksioneve të pavarura, me ua dhënë në disponim. Neni tingëllon i mirë, por në praktikë RTK-në e ka pru në prag të falimentimit. Kur do Jeta Xharra ne falimentojmë, me përmabrues na marrin pagat”, thoshte Hoxha në një mbledhje të Komisionit.