Kaloni kohë të madhe duke përdorur ChatGPT, apo “chatbot” të tjerë të inteligjencës artificiale dhe nuk do t’ju duhet shumë kohë që të kuptoni se ata nxjerrin gjëra të pavërteta.
Të përshkruara si halucinacione, informacione të pavërteta apo shpikje të gjërave, tani këto janë shndërruar në problem për çdo biznes, organizatë dhe nxënës të shkollës së mesme, që i përdorin sistemet gjeneruese të inteligjencës artificiale për të hartuar dokumente. Disa po përdorin sistemet e inteligjencës artificiale për detyra që potencialisht kanë pasoja të mëdha, duke filluar nga psikoterapia e deri te kërkimet për hartimin e dokumenteve ligjore.
“Nuk mendoj se sot mund të gjesh ndonjë model që nuk vuan nga ndonjë halucinacion”, tha Daniela Amodei, bashkëthemeluese dhe udhëheqëse e Anthropic, krijuese e “chatbot-it” Claude 2.
“[‘Chatbot-ët’] janë të dizajnuar për të parashikuar fjalën e radhës”, tha Amodei. “Prandaj, ka një shkallë në të cilin modeli e bën këtë në mënyrë të pasaktë”.
Anthropic, kompania themeluese e ChatGPT, OpenAI, dhe zhvilluesit e tjerë të mëdhenj të sistemeve të inteligjencës artificiale, që njihen edhe si modele të mëdha gjuhësore, kanë thënë se po punojnë që këto sisteme të jenë më të besueshme.
Sa kohë do të marrë kjo – dhe nëse ato do të jenë mjaftueshëm të mira që të konsiderohen të sigurta për këshilla mjekësore – mbetet të shihet.
“Kjo nuk mund të rregullohet”, tha Emily Bender, profesoreshë e linguistikës dhe udhëheqëse e Laboratorit të Linguistikës Kompjuterike në Universitetin e Uashingtonit. “Është një mospërputhje midis teknologjisë dhe rasteve në të cilat është përdorur teknologjia”.
Shumë mbështeten në besueshmërinë e teknologjisë gjeneruese të inteligjencës artificiale. Instituti Botëror McKinsey parashikon se kjo teknologji do t’i shtojë ekonomisë botërore një ekuivalent prej 2.6 trilionë deri në 4.4 trilionë dollarë. “Chatbot-ët” janë vetëm një pjesë e kësaj furie, që përfshin po ashtu edhe teknologjinë që mund të gjenerojë imazhe të reja, video, muzikë dhe kode kompjuterike. Pothuajse të gjitha këto mjete përfshijnë disa komponentë gjuhësorë.
Google, veçse ka nisur të prezantojë një produkt të inteligjencës artificiale që shkruan lajme tek organizatat mediale, dhe për këtë gjë saktësia është parësore. Associated Press, po ashtu, shqyrton mundësinë e përdorimit të teknologjisë si pjesë e partneritetit me OpenAI, që po paguan për të përdorur një pjesë të arkivit të teksteve të Associated Press për ta përmirësuar sistemin e tij të inteligjencës artificiale.
Në partneritet me institutet për menaxhimin e hoteleve në Indi, shkencëtari kompjuterik, Ganesh Bagler, për vite të tëra ka punuar për të marrë sisteme të inteligjencës artificiale, përfshirë edhe një pararendës të ChatGPT, me qëllim që të krijojë receta të reja për kuzhinën e Azisë Jugore. Një përbërës i vetëm “halucinant” mund të bëjnë ndryshimin mes një ushqimi të shijshëm dhe të pangrënshëm.
Kur shefi i OpenAI, Sam Altman, e vizitoi Indinë në qershor, Bagler, që është profesor në Institutin Indraprasthra për Teknologji të Informacionit në Dehli, ai ngriti disa pikëpyetje.
“Mendoj se halucinacionet në ChatGPT janë ende të pranueshme, por kur një recetë preket nga kjo, atëherë shndërrohet në një problem të madh”, tha Bagler, teksa i bëri pyetje Almatit në një ngjarje në Nju Delhi./REL/