13.3 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Instituti për Krime Lufte, Esat Shala i gatshëm të ofrojë 2000 orë incizime

- Advertisement -

Krimet e Serbisë të kryera në Kosovë gjatë luftës vazhdojnë të mbesin të pandëshkuara, edhe pse Prokuroria e Kosovës, së fundmi, ka ngritur disa aktakuza ndaj disa individëve për vrasjet e masakrat e kryera. Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Institutit për Krime Lufte, i cili pritet të funksionalizohet pas, përafërsisht, 6 muajsh.

Qeveria deklaroi për RTK-në se ky institut do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet dhe individët brenda e jashtë Kosovës në mbledhjen e të dhënave. Ndërkohë, është një person në Kosovë që thotë se posedon mbi 2 mijë orë incizime që dëshmojnë krimet e luftës të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë e të cilat është i gatshëm t`i ofrojë.

Janë më shumë se 2 mijë incizime që dëshmojnë krimet e luftës të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Të gjitha këto, por edhe material të tjera, i ruan Esat Shala nga fshati Krajkovë i komunës së Drenasit.

Shala i shkon e rishikon këto materiale që dëshmojnë të kaluarën e dhimbshme të Kosovës.

“Kemi pasur vrasje, masakra, dëbime dhe i kemi harru këto masakra. Na, si popull harrojmë shumë shpejt. Sot ata njerëz që e kanë dhënë jetën për Kosovë, ne nuk i llogaritim as për njerëz”, deklaroi Shala.

Themelimin e Institutit për Krime Lufte e konsideron të vonuar, megjithatë thotë se është i gatshëm të kontribuojë në dokumentimin e këtyre krimeve.

“Duhet me fillu me e bë digjitalizimin e këtij materiali sepse është vonuar digjitalizimi dhe kanë filluar trakat me u dëmtu. Materiale kemi prej viteve të 80-ta deri në qershor të vitit 99. Kemi incizime shumë të rëndësishme me i tregu shqiptarëve edhe botës që shqiptarët nuk kanë vuajt vetëm në periudhën 98-99 prej regjimit te Beogradit”, shtoi ai.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për RTK-në se pas miratimit të Ligjit për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, do të nxirren aktet nënligjore sipas legjislacionit në fuqi për rregullimin e strukturës funksionale, sistematizimit të brendshëm dhe funksionimit të Institutit.

Këto akte nënligjore për zbatim të këtij ligji, do të nxirren brenda gjashtë muajve prej ditës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ky institut do të bëjë dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Për arritjen e këtyre qëllimeve, Instituti do të bashkëpunojë me institucionet me fushëveprim të ngjashëm, organet e drejtësisë, organizatat qeveritare dhe joqeveritare vendore e ndërkombëtare, personat juridikë dhe fizikë brenda dhe jashtë Kosovës, në mbledhjen e të dhënave.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit