Instituti Robert Lansing për Studime të Rreziqeve Globale dhe Demokracisë ka dalë me një artikull të gjatë e kritik për sjelljet e çoroditura të Qeverisë së Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara. Sipas këtij instituti të mirënjohur me bazë në Delaware të SHBA-së, Albin Kurti po vepron sikur aleati më i madh t’i kishte ndonjë borxh Kosovës.
Vendimi i SHBA-së për ta ndëshkuar Kosovën si rrjedhojë e veprimeve destabilizuese të Kurtit shihet si tejet serioz nga Instituti Robert Lansing, jo vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe në përpjekjet e Kosovës për njohje të reja
“Vendimi ka shkaktuar dëme serioze në pozitën politike dhe ekonomike të Kosovës, si në përmbajtje ashtu edhe në simbolikë. Dështimi i një mekanizmi kyç diplomatik me Shtetet e Bashkuara dërgon një sinjal alarmues për vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe mund ta inkurajojë fushatën diplomatike të Serbisë për të penguar ose kthyer njohjet e ardhshme”, thuhet në artikullin e këtij instituti.
Instituti po ashtu vëren se raportet e Kosovës me SHBA-në gjatë viteve të fundit kanë ngecur, dukuri kjo e shtyrë nga sjelljet e çuditshme të Qeverisë në Prishtinë.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara kanë ngecur, një zhvillim që mund t’i atribuohet mungesës së angazhimit aktiv në politikën e jashtme dhe një qëndrimi të perceptuar nga brenda sikur qeveria ka të drejtë—sikur SHBA-ja t’i kishte borxh Kosovës. Në realitet, ky supozim ka rezultuar i kushtueshëm”, thuhet nga instituti amerikan.
Sipas këtij raporti, SHBA-ja nuk ka llogari të lejojë destabilizim të një rajoni si Ballkani Perëndimor në kohën kur Europa është në rrezik nga provokimet ruse. Zvarritja e qëllimshme e krijimit të institucioneve nga Kurti, sipas institutit, shihet si pengesë e qëllimtë politike për SHBA-në.
Izolimi diplomatik po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, thotë instituti, ndërsa Kosova duhet ta kuptojë se dëmtimi i marrëdhënieve me Amerikën rrezikon seriozisht progresin e bërë në shtetndërtim, demokraci dhe siguri.
“Pavarësia pa diplomaci është izolim dhe e ardhmja e mirëqenies së Kosovës varet nga rindërtimi dhe ruajtja e partneritetit me Shtetet e Bashkuara”, thuhet krejt në fund të artikullit të Institutit Robert Lansing.