Iniciativa Europiane për Stabilitet (ESI) t, një think-tank kërkimor që fokusohet në Europën Juglindore dhe zgjerimin e Bashkimit Europian, së fundi ka dalë me disa statistika që demanton propagandën e pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se në Kosovë po kryhet “spastrim etnik ndaj serbëve”.
Madje, ESI, që ka zyrat në Berlin, Bruksel dhe Stamboll, thotë se s’duhet të injorohen deklaratat e tilla të krerëve serbë për pogrom që çojnë më pas në dhunë sikur ajo në Bansjkë.
“Më 6 korrik 2023, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi publikisht se NATO dhe OKB kishin katërmbëdhjetë ditë për të çarmatosur forcat policore të Kosovës dhe për të mbrojtur serbët e Kosovës nga “pogromet dhe spastrimi etnik” i vazhdueshëm i shqiptarëve. Përndryshe, “dikush tjetër” do të duhej ta bënte këtë. Paralajmërimet se Serbia mund të ketë nevojë të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët nuk janë të reja. Tashmë në gusht të vitit 2018, kur presidenti i Kosovës ishte Hashim Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e përshkroi Kosovën si një fuçi baruti: “Të gjithë do të presin një mundësi për të goditur tjetrin për të arritur një avantazh në terren. Dhe çdo ditë do të shqetësohemi nëse do të na sulmojnë në veri, ku do të na godasin, me mbështetjen e kujt…” Mirëpo, në deklaratat e vitit 2018 argumentohej se nëse serbët sulmohen në Kosovë, Serbia do t’i mbrojë ata. Që nga viti 2023, deklaratat argumentojnë se serbët tani janë të sulmuar dhe duhet të mbrohen”, shkruan ESI.
Gjithashtu, ESI paralajmëroi në fund të korrikut 2023 se ky është një kërcënim serioz për paqen në Ballkan.
“Disa muaj më vonë, paramilitarët serbë sulmuan policinë e Kosovës në veri të Kosovës. Është koha për të marrë seriozisht atë që po thuhet aktualisht nga politikanët në Beograd. Nëse shpiken pogrome, atëherë pason dhuna. Nëse këto pretendime të rreme nuk kundërshtohen, situata do të përshkallëzohet më tej”.
Ky institut kërkimor thotë se nuk duhet të jetë e vështirë për organizatat ndërkombëtare të hedhin poshtë pretendimet e rreme, mashtruese dhe të rrezikshme për masakrat imagjinare sa herë që ato bëhen.
“Asnjë nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë me staf në terren në Kosovë – nga KFOR-i te EULEX-i, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, nga UNMIK-u te OSBE-ja – nuk ka parë apo përshkruar “spastrimin etnik të serbëve” apo “terrorin” shqiptar në vitet e fundit në çdo raport të tyre të bollshëm. Por mungesa e provave nuk i ka ndalur pretendimet ndezëse”.
ESI thotë se një nga mjetet që propaganda serbe ka përdorur janë edhe statistikat.
“Më 5 tetor 2023, presidenti Vuçiq shpjegoi se, si rezultat i “terrorit shqiptar”, 11 për qind e serbëve të Kosovës ishin larguar nga Kosova që nga fillimi i vitit 2021. Më 8 shkurt 2024, duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiq iu referua “14 për qind” të serbëve të Kosovës që ishin larguar për vetëm një vit”.
ESI thotë se nuk është ofruar asnjë provë për pogromet e supozuara, dhunën sistematike apo “spastrimin etnik” të supozuar në vitet e fundit.
“Por ç’të themi për provat për këto shifra që presidenti Vuçiq dhe të tjerët kanë cituar? Çfarë zbulojnë ata? Çfarë dimë vërtet?”, thotë ESI, duke publikuar një raport të tërë me shifra që demantojnë atë që thotë Vuçiq dhe vartësit e tij