Instituti Albanologjik i Prishtinës mbajti konferencë për media, duke dhënë sqarime për procesin e caktimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni dhe duke reaguar ndaj qëndrimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), që e cilësoi vendimin si të paligjshëm, raporton Ekonomia Online.
Ministria e Arsimit ka shprehur qwndrimin se caktimi i Meliza Krasniqit si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institutit Albanologjik është bërë në kundërshtim me Rregulloren e Punës, duke thënë se në mbledhjen e Këshillit Drejtues të 20 qershorit kishin marrë pjesë vetëm tre anëtarë nga pesë, ndërkohë që vendimmarrja kërkon kuorum prej katër anëtarësh.
Mirëpo, drejtuesit e Institutit Albanologjik e kundërshtuan këtë interpretim dhe theksuan se vendimi është i vlefshëm dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Drejtori në detyrë, Adil Olluri, tha se komunikimi i MAShT-it është “i panevojshëm, i çuditshëm dhe i habitshëm”, duke shtuar se ministria është dashur ta trajtojë këtë çështje përmes procedurave zyrtare e jo me postime në Facebook.
Ai tha se caktimi i Meliza Krasniqit si ushtruese detyre është bërë në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat dhe se nuk ka asgjë kontestuese në këtë vendim.
“Ju kemi thirrur lidhur me një reagim të panevojshëm, të çuditshëm dhe të habitshëm të MAShT-it në faqen e tyre në Facebook, gjë që një komunikim të natyrës institucionale ministria do duhej ta bënte përmes mënyrës zyrtare. Reagimi ka qenë i pa nevojshëm dhe i paarsyeshëm. Në bazë të legjislacionit në fuqi, ne kemi caktuar ushtruesin e detyrës duke respektuar ligjet. Ai propozim i ka shkuar Këshillit Drejtues siç e thotë ligji. Më pas, në afatet e përcaktuara qartë, e kemi thirrur mbledhjen e rregullt të Këshillit Drejtues, ku një nga pikat ka qenë vendimi i Këshillit Shkencor për emërimin e ushtruesit të detyrës”, tha ai.
Olluri paralajmëroi se çdo përpjekje për të ndikuar në punën e institutit do të kundërshtohet dhe se instituti është i gatshëm të mbrojë pavarësinë e tij deri në frymën e fundit.
“Reagimit të ministrisë i vjen era ndërhyrje dhe janë tërësisht ndërhyrje. Nuk pranojmë asnjë ndërhyrje. Jemi të gatshëm që të rezistojmë dhe ta mbrojmë pavarësinë institucionale deri në frymën e fundit. I bëjmë thirrje ministrisë që t’i hapë rrugë bashkëpunimit dhe të krijojë mundësi që të ecim tutje. Dy anëtarët e ministrisë nuk kanë ardhur në mbledhje”, tha ai.
Edhe anëtari i Këshillit Drejtues, Gëzim Aliu, konfirmoi se mbledhja ishte e rregullt dhe nuk kishte vetëm një kandidaturë për pozitën e ushtruesit të detyrës.
“Mbledhja që është mbajtur për të propozuar nuk e ka pasur vetëm një propozim, nuk është propozuar vetëm Meliza Krasniqi. Është propozuar edhe Arbnora Dushi, por ajo ka refuzuar. Ka mbetur vetëm Meliza Krasniqi, është votuar dhe gjithçka është në mënyrë ligjore. Unë ndërhyrjet e MAShT-it i quaj ndërhyrje politike”, tha ai.
Ndërsa, Naim Berisha, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Albanologjik, tha se problemet për këtë çështje kanë filluar për me shumë një vjet më parë. Ai tregoi se konkursi për pozitën e drejtorit nuk është shpallur për shkak të një denoncimi për konflikt interesi në Agjencinë Kundër Korrupsionit.