Bllokada është më shumë në kokat dhe mentalitetin politik sesa në Kuvend. Institucionet një ditë edhe do të zhbllokohen, por pengesat në mendje nuk largohen aq lehtë pa një ndryshim rrënjësor të kësaj mendësie dhe qasje politike.
Përderisa ne nuk po fokusohemi e dialogojmë për zgjidhjet e sfidave të përditshme, por për interesat e individëve e partive, pushtetit e karriges së tyre, ne mbetemi të bllokuar e të humbur, ndërsa koha nuk po punon për individin, biznesin dhe interesin publik.
Transformimi i vërtetë vjen vetëm kur fokusi, preokupimet dhe angazhimet kryesore janë rreth temave dhe zgjidhjeve socio-ekonomike, interesit të qytetarit, biznesit e ekonomisë.
Në një kohë kur bizneset po paguajnë rrymën deri 350% më shumë, kosovarët po kërkojnë kushte më të mira jete jashtë vendit, deficiti tregtar po thellohet dhe kushtet për prodhuesit e bizneset tona po degradojnë, ne mbesim humbës, pavarësisht nëse Kuvendi dhe qeveria funksionojnë teknikisht apo jo.
Ajo që duhet të ndryshojmë është shkolla, qasja dhe metoda politike e qeverisëse e ku temat e vjetruara dhe padobishme të nacionalizmit dhe populizmit hidhen në shportën e historisë, dhe fokusi kthehet tek zhvillimi, bashkëpunimi, ofrimi i zgjidhjeve dhe zhbllokimi i potencialit tonë shoqëror e ekonomik.