Inspektorati Policor i Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe psikologjike për punonjësit dhe rekrutët e IPK-së.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj dhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi.
“Kjo marrëveshje synon të rregullojë bashkëpunimin mes SHSKUK-së dhe IPK-së për ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe psikologjike për punonjësit dhe rekrutët e IPK-së, duke siguruar mbështetje të specializuar shëndetësore për të njëjtit”.
“Përmes kësaj marrëveshje punonjësve të IPK-së do të iu ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor në ShSKUK (Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ) dhe në të gjitha spitalet rajonale të saj”, thuhet në njoftim.
Inspektorati Policor i Kosovës falënderon ShSKUK-së dhe stafin e saj për bashkëpunimin e treguar dhe për përkushtimin e tyre për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së punonjësve të IPK-së