Një vit më parë, Sami Kurteshi i Vetëvendosjes, përmes një konference për media, pati akuzuar Policinë, AKI-në dhe Prokurorinë, se ishte e përfshitë në Rastin Dehari dhe se ‘sulmi ndaj Kuvendit ishte inskenim’ i organizuar nga institucionet, përfshirë AKI-në dhe Policinë. Këtë akuzë, e përsëritë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në debatin e saj të fundit në RTK.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mendon se ‘sulmi me zollë ndaj Kuvendit’ ishte inskenim i pushtetit të asaj kohe, në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në.
Në një debat mbrëmë në RTK, ajo u pyet se pse Vetëvendosje në pushtet, nuk ka bërë hapa në zbardhjen e rastit të aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.
Ajo thotë se këtë rast, e ka në dorë Prokuroria Speciale dhe kjo e fundit duhet të flasë.
“Ju e dini që ky rast ka ndodhë në vitin 2016. Sot e keni në qeveri Vetëvendosjen, por asnjëherë nuk e keni pa Vetëvendosjen si qeverisje duke keqpërdorur Policinë për interest e tyre.
Më 2016, janë arrestuar gjashtë aktivistë të VV-së, kisne e kanë sulmuar me zollë Kuvendin e Kosovës, pesë prej tyre janë shpallur të pafajshëm por Astrit Dehari doli i vdekur – gjegjësisht nga…nuk doli i gjallë.
Këta e kanë përdorë edhe AKI-në edhe Policinë, që me shtypë protestën e Vetëvendosjes dhe me inskenu sulme që kinse janë bërë nga aktivistët…
Ju e quani inskenim? – e pyet gazetarja e RTK-së, ministren në detyrë, Haxhiu.
“Po natyrisht, se ata janë shpallë të pafajshëm. Qëllimi ishte që Vetëvendosjen me shpallë organizatë terroriste por s’ia kanë dalë”, thotë Haxhiu mbrëmë në RTK. (Shiko minutën: 50:23)
Një vit më parë, më saktë më 12 gusht 2024, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar konferencë ku përfaqësuesi i saj, Sami Kurteshi, po ashtu e kishte bërë të njëjtën akuzë.
Ai kishte deklaruar se rasti i sulmit me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës, ishte ‘inskenim’ që rrjedhte nga ‘maja e pushtetit’ – përfshirë sipas tij, Policinë dhe AKI-në.
“Ky sulm ishte inskenim i të gjitha institucioneve, përfshi majën e shtetit, Policinë, AKI-në, Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Ishte inskenim për ta akuzu Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaron Kurteshi më 12 gusht 2024.
Pak ditë më vonë, më 20 gusht 2024, Sami Kurteshi ishte ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim, saktësisht për deklaratat e bëra më 12 gusht 2024.
Kurteshi ishte intervistuar për më shumë se tri orë në Prokurorinë Speciale, në cilësinë e dëshmitarit.
“Jam intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për deklaratat e bëra dhe të shkruara të publikuara më 12 gusht para Prokurorisë Speciale, për pensionimin e të prokurorit Afrim Shefkiu që ka udhëhequr rastin e Deharit. Kjo ka shkuar me autorizim të prokurorit të rastit. Prokuroria Speciale ka caktuar prokurorin e ri për rastin e Deharit dhe ai është Bekim Kodraliu. Pyetjet kanë qenë në lidhje me deklaratat dhe prononcimin tim më 12 gusht në konferencën time të mbajtur para PSRK-së. Ka qenë një paragraf i përdorur në konferencën për media dhe në komunikatën për media nga Lëvizja Vetëvendosje që ka të bëjë me implikimin dhe urdhrat e dhëna nga maja e shtetit për institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovës”, ka thënë Kurteshi, teksa shton se i qëndron të gjitha deklarimeve të tij. Këmbëngul se mbrapa vdekjes së ish-aktivistit, Astrit Dehari qëndrojnë ish-krerët e shtetit.
“Unë jam përgjigjur në të gjitha pyetjet, natyrisht që kam deklaruar dhe qëndroj pas çdo fjalie të dhënë më 12 gusht në atë konferencë. Ka shumë fakte që i dhashë në Prokurori se implikimi i funksionarëve të majës së shtetit bashkë me institucionet të sigurisë dhe drejtësisë është e dukshme nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet që deri sot janë në dorë të publikut dhe në dorë të institucioneve”, kishte deklaruar Kurteshi