Shkruan: Ardian Bajraktari
Kur kemi cenim të përcaktimit të lirë të votuesve si dhe falsifikimit të rezultateve të votimit dhe kush mund t’i kryej këto vepra
E drejta e votës është e drejtë e garantuar dhe si e tillë është e drejtë personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë, të tillë e përcakton Kushtetuta jonë, paragrafi 2, i nenit 45.
Sa i përket veprës penale cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, e paraparë me nenin 210, të Kodit Penal, ky nen thotë si në vijim: “Kushdo që me përdorim të forcës apo kanosjes serioze, ose me keqpërdorim të varësisë ekonomike dhe profesionale të votuesit ndikon ose detyron votuesin në Republikën e Kosovës që të votojë në mënyrë të caktuar ose të mos votojë në zgjedhje, dënohet me një (1) deri në pesë (5) vjet burgim“.
Inkriminimi i kësaj vepre si vepër e veçantë penale është në linjë me faktin se e drejta e votës, si e drejtë kushtetuese ndër të tjera është e lirë, andaj, çdo cenim i përcaktimit të lirë të votuesve është i sanksionuar.
Pra, elemente kyçe apo siç njihen ndryshe figurë e veprës penale janë, ose për ta kryer këtë vepër penale duhet që kushdo qoftë ai/ajo të përdorë forcë, kanosje serioze, si dhe keqpërdorim të varësisë ekonomike apo profesionale, kurse pasoja është ndikimi ose detyrimi tek votuesit për të votuar dikë, ose për të mos votuar fare.
Sa i përket çështjes së veprës penale të falsifikimit të rezultateve të votimit, neni 216 i Kodit penale parasheh që: “1. Kushdo që shton, heq apo fshin votat apo nënshkrimet, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, ose publikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve apo të votimit që nuk i përgjigjen votimit të vërtetë, ose në ndonjë mënyrë tjetër falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve, dënohet me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet. 2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga anëtari i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër në keqpërdorim të detyrave, pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesë (5) vjet”.
Kjo vepër i dedikohet personave të cilët janë të kyçur në proces zgjedhor, për faktin se po të shihen elementet e veprës penale, apo siç njihët ndryshe figura e veprës penale, i referohet veprimeve konkrete sikurse janë shtimi, heqja, fshirja e votave apo e nënshkrimeve, pastaj regjistrimi i pasaktë i votave apo rezultatit të zgjedhjeve si dhe publikimi i votave apo i rezultatit të zgjedhjeve që nuk i përgjigjet votimit të vërtetë, e kur këto veprime kryhen nga anëtari i Komisionit Zgjedhor, apo personi tjetër, duke e keqpërdorë detyrën e tij/sajë, ndëshkohet me dënim më të ashpër.
Pra, këtu kemi të bëjmë me personat të cilët janë të përfshirë në procesin zgjedhor.
Ndërsa kur jemi tek publikim i matjeve të opinionit, e veçmas rolin e medias në procesin zgjedhor, këto çështje janë të rregulluara me Ligjin përkatës të zgjedhjeve, përkatësisht kapitullin VIII të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, mos respektimi eventual i rregullave, mund dhe duhet të adresohet tek organet gjegjëse, kur shkeljet bëhen nga subjektet politike parashtrohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa kur shkeljet bëhen nga mediat, ankesat parashtrohen në Komisionin e Pavarur për Media.