Informacionet e rreme prishin reputacionin e institucioneve në vend por edhe më shumë dëmton personat të cilët janë subjekt i lajmit, andaj është i nevojshëm krijimi i një institucioni për verifikimin e lajmeve. Kështu u tha në diskutimin e organizuar nga Demokraci për Zhvillim (D4D), me temën “Sigurimi i integritetit: Verifikimi i fakteve në Sistemin e Drejtësisë në një epokë të keqinformimit mediatik”, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se keqinformimi është rritur më shumë në rrjetet e ndryshme sociale, ndërsa u kërkua që të merren shembull shtetet e rajonit që kanë mekanizëm për verifikimin e lajmeve.
Marcel Lekaj nga Zyra për Informim dhe Komunikim në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se gjykatat marrin gjithnjë e më shumë rol aktiv në transmetimin e informacionit te publiku.
Dhe për këtë ai shtoi se publiku duhet të informohet drejtë dhe të mos keq dezinformim.
“Besoj që të gjithë kemi një dëshirë dhe qëllim të përbashkët, që është ofrimi i shërbimeve cilësore për qytetarët dhe palët që marrin shërbime në Gjykata, dhe mbrojtja e proceseve gjyqësore dhe palëve të përfshira në këto procese. Për gjyqësorin është e rëndësishme që publiku të informohet saktë dhe me kohë për zhvillimet në sistemin e drejtësisë. Gjykatat marrin gjithnjë e më shumë rol aktiv në transmetimin e informacionit te publiku”.
“Keqinformimi apo dezinformimi tashmë me përdorimin e platformave të ndryshme sociale, është e lehtësuar shumë, ndoshta edhe për shkak të mungesës së kontrollit dhe rregulloreve për funksionimin e mediave online, portaleve të shkruara dhe platformave të ndryshme. Aktualisht ka një interesim të madh të mediave, për raportime nga Gjykata, sidomos për proceset gjyqësore që janë në zhvillim, dhe kjo rrit sfidën për gjykata që të monitorojnë lajmet dhe informacionet që përhapen. Realisht mungon teknologjia apo mekanizmat, për raportimin në platforma online, të dezinformatave, sidomos në kohë të shpejte ashtu që dezinformata mos të prodhon efekt tek publiku”, u shpreh Lekaj.
Sipas tij, përhapja e informacioneve të rreme, dëmton jashtëzakonisht reputacionin e institucioneve, por edhe më shumë dëmton personat të cilët janë subjekt i lajmit.
“Verifikimi i fakteve kur raportohet nga procese gjyqësore, apo procese që zhvillohen ndaj palëve në institucione të drejtësisë siç janë Policia dhe Prokuroria, sot paraqet sfidë në vete edhe për vetë gazetarët dhe mediat, sepse shpejtësia me të cilin qarkullon shkrimet apo lajmet është e jashtëzakonshme. Përhapja e informacioneve të rreme, dëmton jashtëzakonisht reputacionin e institucioneve, por edhe më shumë dëmton personat të cilët janë subjekt i lajmit”, shtoi ai.
Avokatja, Valdita Shkukriu ka deklaruar se keqinformimi është sfidë globale dhe duhet të krijohet një institucion për verifikimin e lajmeve që qytetarët te informohen drejtë.
“Kjo çështje është sfidë globale, keqinformimi është në shumë fusha e kam parë që komunikimi dhe keqinformimi është shumë i dëmshëm. Në fillim të procesit mund të lëshosh ndonjë informatë të pa verifikuar por atakon më shumë. E verteta është obligim e çdo lloj qytetari, problemi është i vetëdijes së qytetarëve dhe duhet të fillohet nga qytetari të kërkohet e drejta. Shteti nuk ka krijuar një koncept të mirë për informimin e drejtë. Kosovës i mungon ligji në këtë kohë në aspektin e gazetarisë për shembull ndryshimi i Ligjit të KPM-së. Kam parë që çdo lajm nuk i janë gjërat transparente. Njëra prej mangësive është e drejta dhe procesi i ankimimit. Secili gazetarë duhet me ditë kur e lëshon një lajm. Problemi është ne duhet me u përshtat me mendësinë që e kemi, profesionistet gazetarë nuk dua t’i atakoje por ka gazetarë që janë transparent dhe të saktë. Në Kosovë nuk ekziston një institucion që i verifikon lajmet, shtetet tjera kanë marrë masa dhe ka praktika ne rajon qe kanë krijuar institucion”, ka thënë ajo.
Ndërsa gazetari, Fisnik Minci ka theksuar se duhet të dallohet se çka është thashetheme, spekulim dhe e vërtetë.
Minci ka thënë se nuk është nevoja për ligjin e ri të KPM-së, pasi sipas tij, duhet përdorur metoda si në vendet perëndimore që është procesi vetërregullues.
“Gjykata është organ i pavarur, sipas Kushtetutës duhet të jenë të drejtë që vlejnë edhe për media. Gjyqtari është një verifikues i fakteve gjatë procedimit e ka hapësirën e verifikimit të fakteve. Perceptimi i qytetarëve ndikon por duhet të pasur parasysh se çka është thashetheme, spekulim dhe fakt. Sa i përket çrregullimit informativ nuk shoh probleme të mëdha, ka pasur shumë pak dezinformim në drejtësi, dhe më shume në politikë. Sot është gara se kush po publikon i pari, çështja është që secili me qenë profesionist për të gjitha fushat”.
“Secili prej nesh duhet të mundohet të ruajë parimet e shoqërisë, që mos me i lëndu, por kur publikon çfarëdo lajmi me qenë më i ndjeshëm dhe të mos keqpërdoren. Kemi sfida shkaku i këtij transformimi teknologjik. Tentimi për me i regulluar mediat përmes shtetit ka ndikuar në cenimin e lirisë së shprehjes dhe mendoj që ne jemi me Kushtetutë në shtet i lirë demokratikë, duhet të bëjmë përpjekje në ruajtjen e këtij parimi në ruajtjen e demokracisë dhe vetërregullimit. Kush na sigurinë ne KPM që atë kontroll ka me u ndërtuar në mënyrë të drejtë dhe pa e dëmtu lirinë e shprehjes dhe median, ne si shoqëri she si vend kemi përqafuar vlerat evropiane dhe perëndimore. Ajo çka na nevojitet neve me na leju dhe ne e përfundojmë vetë ketë punë. Siç shihet në praktika në perëndim është rregulluar vet, por më vonë kanë bërë një sistem vetërregullues”, ka thënë Minci