Çmimet në Kosovë vazhdojnë të rriten. Raporti më i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për marsin 2026 konfirmon këtë trend, me inflacion mujor prej 1.5% dhe rritje vjetore që ka arritur në 6.7%.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ka shënuar rritje në muajin mars 2026, duke reflektuar vazhdimin e presionit mbi çmimet në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni mujor në mars 2026, krahasuar me shkurtin, ishte 1.5%. Ndërkohë, norma vjetore e inflacionit, krahasuar me marsin e vitit 2025, ka arritur në 6.7%.
Rritja mujore prej 1.5% është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për transport personal, të cilat kanë shënuar një rritje të theksuar prej 25.8%. Po ashtu, rritje kanë pësuar edhe çmimet e perimeve (3.7%), pemëve (1.5%) dhe mishit (0.3%), duke dhënë një ndikim të përbashkët prej 1.7% në indeksin total.
Në të njëjtën periudhë, rënie e çmimeve është regjistruar tek energjia elektrike (-3.7%) dhe lëndët djegëse të ngurta si drutë dhe peleti (-2.2%), me një ndikim më të vogël në uljen e përgjithshme të indeksit.

Në nivel vjetor, rritja prej 6.7% është nxitur nga një gamë e gjerë produktesh dhe shërbimesh. Rritjet më të mëdha janë regjistruar te shërbimet që lidhen me transportin personal (42.5%), biletat e fluturimeve (38.4%), furnizimi me ujë dhe shërbimet për banim (31.9%), si dhe energjia elektrike dhe karburantet (nga 17.4%).
Po ashtu, rritje të ndjeshme janë evidentuar edhe te ushqimet bazë, përfshirë pemët (13.1%), mishin (12.4%), produktet ushqimore në përgjithësi (6.8%), buka dhe drithërat (4.1%), si dhe qumështi, djathi dhe vezët (3.4%).
Sektori i shërbimeve gjithashtu ka kontribuar në rritjen e inflacionit, me çmime më të larta në shërbimet hoteliere (6.9%), kujdesin personal (5.2%) dhe shërbimet ambulantore (5.6%).
Të dhënat tregojnë se rritja e çmimeve është përhapur në pothuajse të gjitha kategoritë kryesore të konsumit, duke reflektuar presion të vazhdueshëm mbi koston e jetesës për qytetarët në Kosovë.






