Furia e çmimeve ka kapërcyer edhe parashikimet më pesimiste të institucioneve ndërkombëtare për Kosovën, duke e çuar normën vjetore të inflacionit në 6.7 për qind në muajin mars të vitit 2026.
Ky përshkallëzim dramatik i faturës së jetesës lë pas shifrat tashmë të larta të fillimvitit, si 5.8 për qind në janar dhe 6.0 për qind në shkurt.
Rritja nuk mbetet një barrë vetëm e nivelit vjetor. Dinamika e inflacionit, sipas raportit të ASK-së, tregon se përgjatë kalimit nga një muaj në tjetrin – nga shkurti në mars të vitit 2026 – tregu pa shtrenjtim shtesë prej 1.5 për qind.
Rritja e çmimeve të shërbimeve bazë dhe ushqimeve
Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, goditjet më të ashpra vjetore po prekin drejtpërdrejt shërbimet bazike të amvisërive dhe produktet thelbësore ushqimore.
Konkretisht, energjia elektrike është shtrenjtuar me 17.4 për qind krahasuar me marsin e vitit 2025. Lëndët djegëse të ngurta, ku përfshihen drutë e zjarrit dhe peleti, njohën një rritje prej 15.6 për qind. Në anën tjetër, një rritje edhe më e lartë është shënuar te furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme të lidhura me vendbanimin, të cilat u shtrenjtuan me 31.9 për qind.
Paralelisht, as shporta bazë ushqimore nuk mbetet prapa. Gjatë së njëjtës periudhë vjetore, pemët janë shtrenjtuar me 13.1 për qind, mishi me 12.4 për qind, ndërsa kafja, çaji dhe kakao me 7.8 për qind. Qumështi, djathi dhe vezët u rritën me 3.4 për qind, ndërsa perimet njohën rritje me 4.9 për qind.
Dinamika mujore tregon po ashtu luhatje serioze. Vetëm përgjatë muajit mars 2026, karburantet dhe lubrifikantët u ngritën me plot 25.8 për qind krahasuar me muajin paraprak. Transporti në tërësi pësoi shtrenjtim të pakthyeshëm; biletat e fluturimeve shënuan një kërcim vjetor prej 38.4 për qind, dhe shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet e transportit personal arritën në 42.5 për qind.
“Inflacion i Importuar” apo krizë e brendshme?
Përballë këtij presioni sfidues makroekonomik, reagimi i ekzekutivit është fokusuar te faktorët e jashtëm. Kryeministri Albin Kurti pretendoi së fundmi se e tërë kjo rrjedhojë është kryekëput një “inflacion i importuar”. Sipas tij, vonesat dhe rreziqet në transportin e naftës nëpër ngushticat ndërkombëtare po reflektohen drejtpërdrejt në çmimet lokale.
Në realitet, Kosova po përballet me një rikthim të inflacionit të ashpër shumë muaj para fillimit të krizës së naftës, e cila mori vëmendje si pasojë e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.
Për më tepër, argumenti i Qeverisë e lëkund dukshëm narrativën e tij nëse krahasohet thellë me të dhënat e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Diferenca statistikore thekson qartë se Kosova sot po përballet me një ritëm inflacioni gati dyfish deri në trefish më të lartë se shtetet fqinje.
FMN: Rritja ekonomike po ngadalësohet
Në raportin e tij të konsultimit vjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar konstatoi se në Kosovë “aktiviteti ekonomik është ngadalësuar, ndërsa presionet inflacioniste janë intensifikuar”. FMN ia atribuoi këtë rrethanë drejtpërdrejt një viti të tërë të bllokadës politike në vend.
Rritja reale e ekonomisë ra në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind sa ishte një vit më parë, ndërsa për vitin 2026 parashihet të zbresë edhe më poshtë, në vetëm 3.3 për qind.
Sipas raportit, frenimi i rritjes ekonomike lidhet me eksportet neto më të dobëta dhe me kërkesën private më të zbutur, ndërkohë që një pjesë e barrës është mbajtur artificialisht nga konsumi dhe investimet publike. FMN-ja parashikon që inflacioni të qëndrojë i lartë përgjatë gjithë vitit, ndërsa kthimi gradual drejt objektivit 2 për qind të Bankës Qendrore Evropiane pritet vetëm rreth mesit të vitit 2028. /Nacionale/






