Numrat e Agjencisë së Statistiakve na ekspozojnë pikërisht atë që po projeksionohej në vazhdimësi nga njohësit e ekonomisë gjatë fillimvitit 2025. Në shkurt të vitit 2026, inflacioni vjetor theu pragun e 6.0% krahasuar me atë kohë, saktësisht me shkurtin e 2025-ës.
Trajektorja e inflacionit vjetor – Kosovë, 2025–2026
Norma vjetore e IHÇK, muaj pas muaji (%) — Burimi: ASK

Ky është kulmi i radhës i një ngjitjeje çmimesh që nisi nga mesi i vitit të kaluar, preku 5.8% në janar dhe më pas 6% në shkurt. Vetëm gjatë shkurtit indeksi u rëndua edhe me 0.6%.
Ushqimi dhe pijet joalkoolike, që zënë peshën më të madhe në shportën e konsumit, u rritën me 8.0 për qind në baza vjetore. Edhe më e ashpër ishte goditja te strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera, me një rritje vjetore prej 15.7 për qind.
Në raft dhe në kuzhinë, kjo përkthehet në kosto konkrete.
Mishi i gjedhit pa eshtra u rrit nga 9.52 euro në 11.66 euro për kilogram krahasuar me shkurtin e kaluar; mishi i viçit nga 10.47 në 12.90 euro; vezët nga 3.32 në 4.16 euro për 30 copë; limoni nga 1.52 në 2.34 euro për kilogram; domatet nga 1.71 në 1.98 euro; kafja e bluar nga 14.52 në 16.12 euro për kilogram. Drutë e zjarrit u rriten nga 57.48 në 65.33 euro për metër kub.
Kjo e bën Kosovën dukshëm të shkëputur nga ritmi i rajonit dhe i Europës. Krahasimet me vendet fqinje e vendosin inflacionin e Kosovës larg mesatares dy deri në tre për qind që po karakterizon pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria raportoi 2.5 për qind në shkurt, Mali i Zi 2.9 për qind në janar, Serbia 2.4 për qind në janar, ndërsa eurozona 1.9 për qind sipas vlerësimit flash të shkurtit.
Duke listuar një sërë shqetësimesh emergjente, deputeti i Lidhjes Demokratike dhe ish-Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, vizatoi një pasqyrë të zymtë të gjendjes socio-ekonomike dhe institucionale në vend, duke vënë theksin te kostoja e lartë e jetesës, stagnimi i investimeve shtetërore dhe eksodi i qytetarëve.
Sipas Hotit, qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të papërballueshme të kostos së jetesës, e cila po i shtyn ata drejt borxheve. Për t’i bërë ballë përditshmërisë, ai shkruan se qytetarët po marrin kredi me kushte të pafavorshme.
Në rrafshin makroekonomik, deputeti i LDK-së vlerësoise politikat qeveritare dhe mungesa e veprimit po e dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit. Bizneset dhe tregu i brendshëm po vuajnë mungesën e injektimit të parasë publike.
Për njohësin e ekonomisë, Shenoll Muharremi, vendi ka kaluar në një fazë kritike të rritjes së çmimeve.
Muharremi paralajmëron se vendi tashmë “u fut zyrtarisht në zonën e rrezikshme 6% të inflacionit mujor!”, duke tejkaluar çdo parametër të një ekonomie të shëndetshme: “Gjithcka mbi 2% inflacion në ekonomi është i dëmshëm, por kur afrohemi dhe e prekim dhe kalojmë 6%, po futemi në zonën e krizës së theksuar.” /Nacionale/






