Sikur Kosova të njihej më herët ndërkombëtarisht, Xherdan Shaqiri tani do të ishte duke i mbrojtur ngjyrat e “Dardanëve”.
Kështu është shprehur presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, në një bisedë për podcastin e FFK-së.
Aty ai ka folur për lidhjen e fortë që shumë futbollistë me origjinë nga Kosova vazhdojnë të kenë me vendin e tyre të prejardhjes, pavarësisht se janë rritur dhe formuar jashtë tij.
“Kur Kosova nuk ekzistonte madje as si shtet, ata luanin për ekipin kombëtar të Zvicrës, për shembull si Xherdan Shaqiri dhe të tjerë. Ata ishin ndër lojtarët më të mirë që kishin mundur të luanin për Kosovën, por në atë kohë Kosova nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht. Për fat të keq”, tha Infantino në këtë bisedë, raporton Klankosova.tv.
Kreu i FIFA-s tha se të gjithë këta lojtarë kanë ndjejnë shumë të fortë për Kosovën, “sepse prindërit e tyre kanë qenë të detyruar të largohen dhe të integrohen në një vend tjetër”.
“Megjithatë, ata janë rritur me rrënjët e vendit të tyre”.
“Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse identiteti i vendit është diçka thelbësore. E dini, jemi miq me të gjithë, por duhet ta ndiejmë se zemra rrah për vendin dhe popullin e Kosovës”.
“Është pikërisht kjo ndjenjë krenarie që do t’ju sfidoja ta mbani gjallë”, deklaroi koka e FIFA-s, teksa në fund falënderoi në gjuhën shqipe Kosovën për mikpritjen.