Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka lansuar “Forumi i Tranzicionit të Drejtë” në kuadër të projektit “Prosper Power: Advancing Energy Transition and Improving Energy Poverty in Kosovo”, mbështetur nga Heinrich Boll Stiftung, raporton Ekonomia Online.
Dardan Abazi, nga INDEP tha se Forumi i Tranzicionit të Drejtë është platformë interaktive, e vendosur në uebfaqën e INDEP.info dhe është krijuar për të angazhuar qytetarët në diskutime që i mbajnë ata të informuar për tema të rëndësishme, siç janë ndryshimet e mundshme në çmimet e energjisë elektrike.
Sipas tij, qëllimi i tij kryesor është të inkurajojë pjesëmarrjen dhe ndërgjegjësimin e publikut në çështjet kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
“Siç e dini, Kosova ka miratuar një sërë përkushtimesh në rrugën e tranzicionit të energjisë, duke filluar nga strategjia e energjisë e cila parashikon një investim masiv në burime të ripërtritshme të energjisë, një treg të modernizuar, të rregulluar e të integruar të energjisë, si dhe investime në efiçiencë, pastaj në mbrojtje të konsumatorëve”.
“Në këtë rrugë, Kosova është në prag të miratimit të planit për energji dhe klimë, i cili plan gjithashtu e ofron Kosovës në rrugën e dekarbonizimit deri në vitin 2050. Të gjitha këto përkushtime, natyrisht që do të kërkojnë ndryshime të legjislacionit horizontal, edhe të masave politike por mbi të gjitha do të kërkojnë një mbështetje për konsumatorët të cilët do të përballen me një ndryshim rapid të sistemit energjetik. Nga një sistem i rregulluar në të cilin çmimi na vijë si vendim i ZRRE, dalëngadalë duhet të kalohet tek një sistem kur konsumatorët do të jenë vetë prodhues e vetëmenaxhues të energjisë dhe do të kenë mundësi të ligjin kontrata të bashkësive energjetike, në të cilën do të kenë mundësi të bëjnë shitblerje të energjisë”, u shpreh Abazi.