Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi sot u përcoll për në banesën e fundit. Ai vdiç të dielën, pak ditë pasi e pa djalin e tij i cili e vizitoi në QKUK. Numër i madh i qytetarëve nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia sot morën pjesë në varrimin e tij, por jo edhe krerë e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Glauk Konjufca, shkruan Periskopi.

Ani pse u publikua edhe agjenda për ceremoninë mortore të Haxhi Thaçit, kjo nuk pati ndonjë rëndësi për treshen Osmani, Kurti e Konjufca.

Megjithëse Osmani u tha se dërgoi dikë nga stafi i saj, për Kurtin e Konjufcën mjaftuan veç dy- tre rreshta në letër për ngushëllime.

Në letrën e ngushëllimit për familjen Thaçi, kryeministri u shpreh se do të kujtohet gjithmonë për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes suaj dhe miqve të ish-presidentit Hashim Thaçi”, thuhej në letër ngushëllim.

Si duket inatet politike ndikuan që krerët e shtetit të mos shkojnë as në homazhe e as në varrimin e babait të ish-presidentit Thaçi.