21.3 C
New York
Thursday, October 9, 2025

Buy now

Imponimi i ekuilibrit të forcave në Bririn Juglindor të Evropës

- Advertisement -

Nga Albert  Prenkaj

vazhdim nga shkrimi i djeshëm (Imponimi i ekuilibrit të forcave në Bririn Juglindor të Evropës – Klan Kosova)

Meqenëse relacionet ShBA-Serbi ishin tensionuar skajshmërisht pas intervenimit të NATO-s (1999) dhe sponsorimit të pavarësisë së Kosovës (2008), ato filluan të relaksohen me vizitën e Sekretarit të Shtetit John Kerey (2017) në Serbi, për të arritur në shkallën e fillimit të Partneritetit Strategjik, proces i cili është pezulluar me Kosovën (2025).

Në mandatin e parë të presidentit Trump (2020) në Shtëpinë e Bardhë nënshkruhet marrëveshja separate Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Me këtë ShBA bën hap me rëndësi në relaksim të marrëdhënieve, por përfundimi i mandatit të tij dhe ardhja në pushtet e qeverisë Kurti nuk rezultoi me implementimin e marrëveshjes.

Në mandatin e presidentin Biden, në vitin 2022, Rusia ndërmori “sulm ushtarak të paprovokuar” mbi Ukrainën e që në vitin 2014, tashmë kishte okupuar Krimenë. Okupimi i ndjeshëm i territorit ukrainas nga ana e ushtrisë ruse nga insistimi rigjid i Rusisë parashikohet të ketë epilog të dhimbshëm për sovranitetin de facto të Ukrainës, si dhe pozitën e saj karshi BE-së dhe NATO-s. A do të reflektojë një marrëveshje për Ukrainën në vendosjen e rendit të ri botëror, do të dëshmohet në periudhën në vazhdim.

Vlen të theksohet se në gusht të vitit 2009, pas vizitës në Pekin, Presidenti Tadiq deklaroi se Serbia ka katër shtylla të politikës së jashtme: Kinën, BE-në, Rusinë dhe ShBA-në, edhe pse kuluaret akademike të Serbisë shprehin dyshimin se Kryeministri Vuçiq ka zëvendësuar katër shtyllat me dy shtylla – elementet Euro-Atlantike. Megjithatë, Vuçiqi mbeti besnik doktrinës/strategjisë së Serbisë në 4 shtyllat e sipërpërmendura. Një nga 7 marrëveshjet e nënshkruara me vizitën e Presidentit Putin në Serbi është edhe ajo që garanton statusin ekstra-territorialitetit të ushtrisë ruse me bazën “humanitare” në Nish.

Me qëllim të ruajtjes së korridoreve strategjike në Gadishull, përmes elementit etnik serb dhe qeverive stagnuese anti-evropiane, Rusia përpiqet të ndërtojë zona të zjarrit të cilat do të tkurrin gjeografinë politike shqiptare, që në një moment potencial të ndërtimit të rendit në rajon të ketë një avantazh karshi protagonistëve të tjerë. Në tkurrjen e jo vetëm gjeografisë shqiptare, por edhe të pjesëmarrjes reale në qeverisje dhe në përbërje administrative kishte llogaritur qeveria Gruevski dhe sot qeveria Mitckovski në Maqedoninë e Veriut.

Derisa kuluaret akademike dhe politike serbe pretendojnë se planet gjeopolitike Atlantike me shpërbërjen e Jugosllavisë kanë parcializuar gjeografinë dhe fuqinë vepruese serbe, duke pretenduar në tkurrje në kufijtë shtetërorë të Serbisë, në Republika Sërpska të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në mbetjet etnike serbe në Kroaci, Maqedoni dhe Kosovë, pala shqiptare në pushtet në Kosovë nxjerr në etër të ashtuquajturën “frikë” ruso-serbe mbi të cilën projekton idenë e “Shqipërisë së Madhe”, të cilën ka shanse minimale ta realizojë. Pushteti momental e ka braktisur këtë premtim elektoral, tashmë.

Disa burime raportojnë se Moska do të mund të instalojë aeroplanët luftarakë Sukhoi Su-27SM, MiG-29, dhe Su-25M, helikopterë superiorë dhe sulmues Ka-28M dhe Ka-52K. Këto dhe pasurime të tjera me armatim dhe njësi moderne rreth e përqark Gadishullit tonë, si në Detin e Zi ashtu dhe në Mesdhe, e vendosin Turqinë dhe vendet e NATO-s në Gadishull në shënjestër të forcave ajrore, tokësore dhe detare si dhe ato të kapaciteteve të veprimit strategjik. Për më tepër, për të projektuar fuqinë në Mesdhe dhe në Ballkan, Moska kishte ideuar (para anëtarësimit të Malit të Zi në NATO) vendosjen e bazës detare në Mal të Zi, bazën tokësore në Serbi, bazën detare dhe ajrore në Qipro. Ky synim rus për prani në Gjirin e Kotorit nuk ka shteruar.

Qëndrimi i Rusisë karshi Bririt Jug-Lindor të Evropës me siguri se nuk do të ndryshojë në një të ardhme të afërt. Apo deri në vendosjen e Rendit të Ri Botëror.

BE-së deri më tani i mungon strategjia e qartë për t’u marrë me këtë sfidë, e posaçërisht sa i përket politikave të energjisë duke qenë se deri para pak kohe ishte edhe vetë e varur nga resurset energjetike të Rusisë. Përpjekje e parë serioze e BE-së si antipod i projekteve që vinë nga lojtarë të kontinenteve tjera, përpos ofrimit të kritereve për t’i plotësuar në rrugëtimin drejt integrimit në BE, duket të jetë Procesi i Berlinit si përpjekje për të identifikuar projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe sociale të shteteve të Gadishullit tonë. Risi e përpjekjeve të BE-së për të përafruar këtë gjeografi të saj është Plani i Rritjes që mëton dhënien e kredive të buta dhe granteve, të cilat Republika e Kosovës ende nuk i ka realizuar, si rezultat i sanksioneve nga Brukseli.

Tërheqja totale ruse nga aranzhmanet e krijimit të kushteve për akomodimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe futja në NATO e shumicës së shteteve të kësaj gjeografie të Evropës, me përjashtim të Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës, bëri që Rusia t’i rikthehet doktrinës cariste dhe sovjetike të kthimit në “ujëra të ngrohta”, që i bie kthimi pranë Adriatikut, nëse jo drejtpërdrejtë, edhe pse ndërhyrja apo infiltrimi në politikën e brendshme në Mal të Zi, mbajtja e presidentit të Republika Sërpskas nën ndikim, janë kërcënime serioze të doktrinës “Ruski Mir” ndaj paqes fragjile në këtë rajon të Evropës.

Për hir të së vërtetës duhet të përkujtojmë se Rusia ishte prezente në të gjitha fazat e rrugëtimit të Kosovës drejt shtetësisë. Në Rambuje, në Vjenë, në Grupin e Kontaktit, deri te ICO (Zyra Civile Ndërkombëtare) që ishte aparat mbikëqyrës i pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës. Aty ndërpritet prezenca ruse në këtë proces. Nuk duhet hequr nga mendja se me ndërhyrjen e ushtrisë ruse, duke marr kontrollin e aeroportit të Prishtinës (1999), me ç’rast gjenerali britanik Jackson evitoi konfliktin e hapur me Rusinë, Marrëveshja e Kumanovës pësoi amandamentime për të akomoduar kontingjentin ushtarak rus në kuadër të KFOR-it.

Insistimet e Kurtit për nënshkrim të marrëveshjes 2023 (në Bruksel dhe Ohër) qartë se është tentim për blerje të kohës e që është në sintoni me refuzimet në Beograd. Këtu tashmë bëhet fjalë për retorika të tejzgjatjes së qëndrimit në pushtet dhe “ushqim” zgjedhor. Aq më tepër, kjo shtyrje pret një moment tjetër “të volitshëm”, meqë Marrëveshja 2023 Kosovë-Serbi që sipas ndërmjetësuesit Lajçak “nuk është marrëveshje ligjërisht obligative” pa njohjen në qendër, si marrëveshje përfundimtare e konfliktit protraktiv në mes dy shteteve.

Dyshimet janë legjitime se me këtë retorikë zgjedhore më herët në Serbi e tashmë në Kosovë, si dhe me diskursin e vringëllimave të armëve, duke u shmangur përgjegjësitë ndërkombëtare të marrëveshjeve të arritura, mundësitë janë të larta që konflikti protraktiv të përfundojë si pjesë e “tavolinës së madhe” të balansimit të interesave globale dhe krijimit të rendit të ri botëror.

Pyetje serioze është: i konvenon kjo bartje e konfliktit, Republikës së Kosovës të dalë me Deklaratën e Pavarësisë, 17 shkurt 2008?

Në këtë tavolinë “të madhe”, apo “Jalt të dytë” Ukraina (Donietsk, Danbar, Danbas, Krime), Republika Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, pastaj Kosova dhe Mali Zi; Gjeorgjia (Osetia jugore me Abhazia); Izraeli (Bregu Perëndimor, Gaza); Deti Kinez, Tajvani, dhe shumë gjeografi tjera do të trajtohen nëse veç tashmë nuk janë në trajtim?

Të ngjashme

Të fundit