Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka kërkuar dënimin e merituar për personat, të cilët çojnë dorë mbi zyrtarët policorë.
“Organet e drejtësisë duhet të veprojmë me më efikasitet. Sulmi mbi zyrtarin policor është sulm mbi shtetin. Ka pasur raste kur janë sulmuar zyrtarët policorë dhe i dyshuari është liruar pas 48 orësh, kurse suspendimi për zyrtarët policorë ka vazhduar përtej. Efikasiteti i organeve të drejtësisë në këto raste do të ishte parandalim i sulmeve mbi zyrtarët policorë”, është shprehur Zeqiri, njofton Klan Kosova.
“Me këtë efikasitet nënkuptohet që sulmuesit ta marrin dënimin e merituar. Ky do të ishte parandalim i mirë”.
“Askush mbi ligjin. Prokuroria dhe gjykatat duhet të jenë me efikase”.
Zeqiri, në Edicionin Special, ka mohuar mundësinë që zyrtarët policorë të mund të jenë nxitës.
“Mbi 90 përqind e zyrtarëve policorë kanë sjellje korrekte. Kemi një polici të profesionalizuar. Sulmet ndodhin befasishëm sepse specifika e punës tonë është më e ndryshme nga profesionet tjera. Polici është ai i cili gjithmonë ballafaqohet me rrezikun”.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se si sindikatë do të jenë këmbëngulës në plotësimin e kërkesave të tyre, ku tri janë më specifike: Ligji për Paga, sigurimi i shërbimit shëndetësor dhe jetësor si dhe Ligji për Pensionimin e Parakohshëm.