13.6 C
New York
Thursday, October 30, 2025

Buy now

Imami kosovar pas vendimit të Supremes: Shamia me fytyrë të dukshme nuk cenon procesin mësimor

- Advertisement -

Imami kosovar Labinot Maliqi ka reaguar mbi vendimin e djeshëm të Gjykatë Supreme për bartjen e shamisë në shkolla.

Ai tha se vendimi i djeshëm i kësaj gjykate që e konfirmon kompetencën e MAShTI-t për të përcaktuar rregulla mbi uniformën shkollore është formalisht i vlefshëm, por sipas tij, “në thelb mbetet i diskutueshëm në raport me të drejtat themelore të njeriut dhe parimin e barazisë”.

Maliqi, që është drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe në një shkrim në Facebook thotë më tutje se MASHTI ka autoritet ligjor për të përcaktuar rregulla që lidhen me uniformën shkollore, pra me mënyrën se si nxënësit paraqiten dhe vishen gjatë procesit arsimor.

“Megjithatë, ky autoritet nuk përfshin të drejtën për të rregulluar bindjet fetare të nxënësve, siç është mbulesa e kokës, e cila nuk është pjesë e uniformës zyrtare të shkollës, nuk e zëvendëson atë, nuk e përjashton atë, por është shprehje e lirë e besimit individual”.

“Shamia me fytyrë të dukshme nuk bie ndesh me uniformën shkollore. Përkundrazi, në praktikë, nxënëset që e bartin shaminë kanë respektuar gjithmonë uniformën zyrtare të shkollës dhe rregullat e saj. Asnjëherë nuk është dokumentuar ndonjë rast ku nxënëset me mbulesë të kenë refuzuar uniformën apo disiplinën shkollore. Për këtë arsye, ndalimi i mbulesës nuk lidhet me uniformën, por është shndërruar në mjet përjashtimi dhe diskriminimi ndaj nxënëseve besimtare, gjë që bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

“Dispozita e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014, neni 3, pika 1.13, ndalon “bartjen e uniformës fetare”. Megjithatë, kjo dispozitë nuk e jep asnjë përkufizim se çfarë nënkuptohet me “uniformë fetare” dhe nuk e përfshin shaminë si veshje të tillë. Kjo mungesë e sqarimit ka hapur rrugë për interpretime të pasakta dhe zbatim arbitrar, ku shamia e cila në fenë islame nuk konsiderohet uniformë apo simbol, por normë fetare, është përdorur padrejtësisht nga disa drejtues shkollash me qasje islamofobe për të përjashtuar nxënëset që e bartin shaminë”.

Si pasojë, Udhëzimi Administrativ në fjalë ka prodhuar diskriminim, stigmatizim dhe përjashtim të vajzave me mbulesë islame, duke cenuar drejtpërdrejt nenin 24 (barazia para ligjit), nenin 38 (liria e besimit) dhe nenin 47 (e drejta për arsimim) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Ligjin Nr. 05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligjin Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar.

“Një ndalesë e tillë nuk mbron rendin publik apo sigurinë. Përkundrazi, i kontribuon diskriminimit, stigmatizimit dhe prapambeturisë së femrës, duke e penguar zhvillimin e saj arsimor dhe profesional. Ajo krijon një pengesë të panevojshme për emancipimin e gruas dhe përfaqëson një formë të përjashtimit gjinor, e cila bie ndesh me parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë sociale”.

Sipas tij, shamia me fytyrë të dukshme nuk pengon identifikimin, nuk cenon procesin mësimor, dhe nuk prish rendin shkollor.

“Kufizimi i saj është jo proporcional dhe në kundërshtim me standardet evropiane për të drejtat e njeriut, të lirisë fetare dhe të drejtës për arsimim”.

“Prandaj, kërkoj që MAShTI ta shfuqizojë tërësisht apo ta rishqyrtojë nenin 1.13 dhe ta harmonizojë me Kushtetutën, ligjet në fuqi, standardet demokratike, praktikat evropiane dhe ato të vendeve anglisht-folëse, duke e riformuluar ndalesën në këtë frymëNdalohet bartja e ‘uniformës’ fetare që mbulon fytyrën ose pengon identifikimin e nxënësve”,

“Një rishikim i tillë do të rikthente koherencën institucionale, do të mbronte të drejtat themelore të njeriut, dhe do të dërgonte mesazhin se Kosova është shtet që respekton lirinë, dinjitetin dhe zhvillimin e gruas si shtyllë e shoqërisë demokratike”, tha më tej Maliqi, transmeton Klankosova.tv

Të ngjashme

Të fundit