Ylli i UFC-së, Ilir Latifi është pezulluar për tre muaj për shkak se nuk ka zbuluar te mjekët, një infeksion të lëkurës potencialisht kërcënues për jetën.
Latifi mundi Aleksei Oleinik me vendim unanim në UFC Vegas 61 në tetor. Pas përleshjes, ai pranoi se kishte një infeksion, por nuk e njoftoi trajnerin e tij përpara meçit.
“Edhe këtë javë e shihni këmba ime është e ënjtur e gjitha, as trajnerëve nuk ua kam thënë, por para dy ditësh jam infektuar”, tha Latifi, raporton Marca.
“Është një sport i mrekullueshëm, por diferencat janë kaq të vogla. Ti bën shumë punë dhe kjo gjë ndodh ditën e fundit”.
“Sot kur u zgjova, këmba ime ishte ënjtur dhe isha sikur ‘nuk mund të anuloj përsëri’ kështu që më duhej të luftoja kështu me një ethe dhe një infeksion, por kjo është pjesë e të qenit një luftëtar”.
Latifi u suspendua nga Komisioni Atletik i Nevadës, pasi nuk raportoi se vuante nga infeksioni Staph, një sëmundje që mund të ketë pasoja fatale.
Kjo do të thotë se Latifi, i cili pritet të paguajë mbi 350 euro tarifa ligjore, do të mund të luftojë sërish në vitin 2023.