Kampioni i Kosovës, Ballkani, shënoi fitore të madhe ndaj Bate Borisov dhe trajneri Ilir Daja pas ndeshjes tha se kjo fitore i dedikohet Lindon Emërllahut të lënduar.
Daja thotë se Emërllahu është një lojtar kyç për formacionin e tij dhe i dedikon këtë fitore të madhe atij dhe tifozëve të Ballkanit, Xhebrailave.
“Kjo fitore shkon për Lindon Emërllahun, i urojmë rikthim të shpejtë, sepse është një nga pikat më të forta tona. Kjo fitore shkon për të dhe të gjithë tifozët tanë, Xhebrailat.”
Daja potencoi se humbën shumë raste, por rezultati që arritën është shumë i mirë për ta, duke ditur kë kanë pasur përballë.
“Patëm katër apo pesë raste shënimi dhe morëm një gol në një rast të vetëm në pjesën e parë. Dominuam në çdo aspekt në fushë, si në raste ashtu edhe në posedim. Kemi humbur raste shumë, mund të ishim konkret, por një rezultat 4:1 ndaj një kundërshtari të fortë siç patëm ne është shumë i mirë.”
Tutje Daja tha se këto suksese të Ballkanit, po shkojnë në të mirë të futbollit kosovar, duke parë që një skuadër nga sezoni i ardhshëm do të luajë në kualifikime të Ligës së Evropës.
“Sukseset e Balllkanit tani po kthehen në suksese të futbollit të Kosovës, pasi me arritjet tona edhe skuadrat tjera po fitojnë, me një nga skuadrat që sezonin e ardhshëm do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës.”
Për fund, trajneri shqiptar foli për disa detaje që vendosen ndeshjen, ku tha se në pjesën e dytë përmirësuan gabimin e vetëm që bënë në pjesën e parë, për ta marrë këtë fitore të madhe.
“Rregulluam diçka brenda skuadrës, që rezultoi suksesshëm në këtë ndeshje. Në pjesën e dytë korrigjuam të metën e vetëm që patëm në pjesën, e parë, për ta dominuar më pas takimit dhe për të marrë këtë fitore të madhe. Kjo fitore shkon për të gjithë tifozët që na kanë mbështetur në këtë sukses.”