Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës i cili përfundoi me shtatë të arrestuar si të dyshuar në rastin e vrasjes së rreshteri, Muhamed Lika rrit besueshmërinë e qytetarëve në institucionet për vendosjen e drejtësisë.
Ai në emisionin “InfoNata”, ka folur edhe për përfshirjen e një “grupit me thirrje ekstremiste”, ku për këtë ka dyshime, por ka thënë se duhet të priten raportet zyrtare.
“Sa i përket lidhjes së një grupi të caktuar me rastin, thamë të drejtën jam skeptik, por megjithatë duhet të presim anën zyrtare, sepse deri më tani nuk kemi parë ndonjë element të tillë që do të na shtinin në dyshime të tilla, por me gjithë atë presim që intervistoi i të arrestuarave do të japin një kthellëtësi situatës së krijuar këtyre ditëve”, ka thënë Ilazi në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai ka thënë se si komunë kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Policinë e Kosovës dhe Këshillin e Bashkësisë Islame në Kaçanik.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se kanë arritur të sigurojnë prova që i lidhin me rastin.
“Ne kemi arritur të sigurojmë prova, dëshmi të cilat e lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë. Mbetet të shihet backgroundi i tyre. Disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale, kanë qenë të arrestuar edhe për raste të mëhershme, e që ndërlidhen me thirrje ekstremiste. Për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet duhet të vazhdojnë tutje për ta vërtetuar këtë punë, por janë persona të dyshuar, të rrezikshëm, të cilët ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje, e kanë planifiku dhe po ashtu e kanë ekzekutuar… Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare dhe në disa raste kur disa prej tyre kanë qenë të arrestuar, që lidhen me pamfletin dhe djegien e Gjykatës në Kaçanik”, është shprehur Hoxha.