24.4 C
New York
Monday, September 1, 2025

Buy now

IKShPK: Ka ngritje të vlerave të manganit në zonën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit

- Advertisement -

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, ka bërë të ditur se ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.

“Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut”, thuhet në njoftim.

IKShPK-ja, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës,  apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.

“IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, thuhet nga ky institucion.

IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.

KRU “Prishtina” ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme:

  • Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit;
  • Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar;
  • Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.

Zonat e prekura: Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga liqeni Badoc, Hajvalia, Veterniku, Lagja 038, Lagja Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fshati Preoc, Çagllavicë, Rr. Behar Begolli, Rr. Richard Holbrooke, Qendra tregtare Albi Mall, Rr. Shkupi, Rr. Holger Petersen, Rr. Malush Kosova, Lagja Qershia, Lagja NIC, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza, Rr. Enver Maloku, Lagja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, Rr.Ferat Dragaj, Rr. Hajrullah Abdullahu, Rr. Hilmi Rakovica, Rr. Vëllezërit Gërvalla, Rr. Afrim Zhitija, Rr. Armend Daci, Rr. Dervish Rozhaja, Rr. Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, Rr. Sali Nivica, Rr. Norbert Jokl, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, Rr. Mehmet Gradica, Rr. Hyzri Talla, Rr. Qamil Bala.

Të ngjashme

Të fundit