Instituti Kombëtar i Shëndeti Publik ka bërë të ditur se Komiteti për Inteligjencë Epidemike dhe Komiteti për Sëmundje Ngjitëse, kanë mbajtur takime, ku kanë diskutuar situatën globale rreth përhapjes së virusit ‘Nipah’.
Për RTK-në ata bën të ditur se sipas vlerësimit aktual të Komiteteve, rreziku për Kosovën është i ulët, meqë edhe OBSH dhe organizatat e tjera kanë vlerësuar se shpërthimet mbeten sporadike, të lokalizuara dhe me mundësi të kufizuara të përhapjes përtej Indisë, ku janë zbuluar dy raste.
Sidoqoftë, sipas tyre, Komitetet kanë rekomanduar që të zgjerohet mbikëqyrja epidemiologjike dhe të rritet gatishmëria e sistemit shëndetësor, mirëpo, në këtë fazë nuk ka arsye për alarmim publik apo rrezik për popullatën në Kosovë.
Mjeku Naser Ramadani, njëherësh ish-drejtues IKSHPK-së, thotë se ekspertët e shëndetit publik theksojnë se virusi Nipah është i rrallë, por kur ndodhin shpërthime, pasojat mund të jenë shumë të rënda.






