Sport

Ikona e “brezit të artë” belg do të tërhiqet nga futbolli

By GAZETA SCANNER

November 06, 2023

Nga Kina e largët aziatike vjen lajmi i bujshëm. Mesfushori belg Marouane Fellaini, do të largohet nga futbolli profesionist në fund të sezonit aktual.

Informacioni bëhet i ditur edhe nga Choi Kang-hee, trajneri i tij aktual i skuadrës kineze Shandong Taishan.

“Edhe pse me ndonjë keqardhje, unë e respektoj vendimin tij”,- tha trajneri. Pas pesë vitesh në futbollin kinez, Fellaini, i cili më 22 nëntor mbush 36 vjeç, do të nderohet me një ndeshje lamtumire që do të zhvillohet në provincën kineze të Henanit.

Fellaini ishte një nga pikat kryesore të futbollit belg në vitet e fundit. Krahas emrave si Kevin de Bruyne, Hazard, Courtois dhe të tjerë, mesfushori ndihmoi në promovimin e atij që quhej “brezi i ri belg”.

Në futbollin evropian, Fellaini spikati duke veshur fanelat e Evertonit dhe Manchester United, klube për të cilat luajti midis 2008 dhe 2019, vit në të cilin ai organizoi transferimin e tij në futbollin kinez.

Gjatë gjithë vitit 2023, Fellaini luajti 31 ndeshje, shënoi 13 gola dhe dha dy asistime.