Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se seanca e sotme e paraparë që të mbahet në orën 11:00 cenon rendin kushtetues dhe juridik si dhe procedurat parlamentare në Republikën e Kosovës.
Sipas IKD-së, përpjekja për formimin e komisioneve parlamentare pa u formuar qeveria cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës.
“Kjo qasje e kryetarit aktual të Kuvendit bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe praktikën e deritanishme parlamentare. Sipas procedurës së detyrueshme, fillimisht Kryesia duhet të përcaktojë strukturën e komisioneve, të marrë propozimet nga grupet parlamentare, të hartojë dokumentin final dhe vetëm më pas ta dërgojë për miratim në seancë plenare. Procedimi aktual e ka anashkaluar këtë proces duke e kaluar këtë proces në mënyrë arbitrare”.
“Komisionet parlamentare formohen vetëm pasi të jetë votuar Qeveria nga vet Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të dihen balancat politike dhe ndarja qeveri-opozitë. Kjo vlen edhe për komisionet e veçanta. Dy komisionet më të rëndësishme mbikëqyrëse – Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sipas ligjit, Rregullores dhe praktikës parlamentare, i takojnë opozitës. Në këtë fazë të paqartë politike, nuk dihet ende se cilit subjekt i takon statusi opozitar, duke e bërë të pamundur formimin ligjor të këtyre komisioneve”.
Në këtë situatë të krizës institucionale dhe shkeljeve serioze të rendit kushtetues, IKD vlerëson se zgjidhja e vetme reale është arritja e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive parlamentare.
“Për këtë arsye, IKD u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe në mënyrë të veçantë Lëvizjes Vetëvendosje, që para seancës së sotme të orës 14:00 mandatari për formimin e Qeverisë, z. Glauk Konjufca, të thërrasë menjëherë një takim me kryetarët e të gjitha partive parlamentare. Qëllimi i këtij takimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje për formimin e një Qeverie teknike, e cila do të mundësojë adresimin e çështjeve urgjente të administrimit shtetëror: miratimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2026, buxhetin për RTK, alokimin e buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të tjera të pazgjidhura që kërkojnë funksionim të plotë institucional”.
“Vetëm një marrëveshje politike dhe konstituimi i një qeverie teknike mund të rikthejnë rregullsinë procedurale, legjitimitetin e institucioneve dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Nëse ky hap nuk ndërmerret, vazhdimi i devijimeve aktuale do të shkaktojë dëm të parikuperueshëm për rendin kushtetues të vendit, funksionimin e demokracisë parlamentare dhe sundimin e ligjit”, thonë nga ky institut, transmeton





