10.8 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

IKD: Rreth 113 mijë lëndë të pazgjidhura, po shkelet e drejta për gjykim në kohë

- Advertisement -

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka prezantuar raportin “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm- (Problemet kushtetuese të Projektligjit aktual). Aty u tha se nga të gjeturat e raportit, Projektligji që synon të rregullojë të drejtën për qytetarët për një gjykim në kohë të arsyeshme ka shumë probleme.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala tha se tek përgjegjësitë e gjyqtarit, Projektligji ka përcaktuar se “Në rastet e dështimit të gjyqtarit ose kryetarit të gjykatës të veprimit në mënyrën dhe brenda afateve të parapara me këtë ligj përbën bazë për inicim të procedurës disiplinore në pajtim me legjislacionin përkatës për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve”.

Shala tha se sipas këtij neni, gjyqtari mund të mbahet përgjegjës edhe pa fajin e tij. Kjo pasi në rastin konkret, Projektligji nuk i referohet fajit të gjyqtarit, por thjesht “dështimit” për të vepruar brenda afateve të përcaktuara me këtë ligj.

Ai tha se mund të ketë situata, kur gjyqtari ka “dështuar” për të trajtuar rastet brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Por, theksoi se ka mundësi që ky “dështim” të ketë ardhur si rezultat i rrethanave objektive, për shembull mbingarkesës së tij me lëndë, kompleksitetit të çështjes, mospërgjigjes adekuate nga ana e institucioneve të tjera, e rrethana tjera.

Andaj, Shala u shpreh se IKD i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të rishqyrtojë nenin 8 të Projektligjit.

Në anën tjetër, hulumtuesi u shpreh se edhe neni 19 i cili përcakton se “1. Për të vendosur mbi padinë për kompensim të dëmit lidhur me shkeljen për gjykim të arsyeshëm është Gjykata Supreme”, e që sipas tij trajtimi i këtyre rasteve rrezikon të shkatërrojë Gjykatën Supreme.

Sipas këtij raporti, Shala tha se rritja e lëndëve deri në fund të vitit 2023 ka arritur kulmin.

“Në Gjykatat Themelore mbetën 112 mijë e 623 lëndë të pazgjidhura”, u shpreh Shala.

Sipas tij, një kohëzgjatje jo e arsyeshme cenon një prej kompetenteve kyçe të gjykimit të drejtë, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor, për të cilën tha se IKD në vazhdimësi ka ngritur si shqetësim.

Shala tha se deri tani janë ndërmarrë reforma të rëndësishme për të adresuar këtë problem. Megjithatë, deri tani nuk është shënuar progresi i kërkuar, veçanërisht në fushën civile.

Hulumtuesi i IKD-së, u shpreh se e drejta për gjykim në kohë të arsyeshme ka vazhduar të shkelet, madje në mënyrë sistematike.

Ai shtoi se IKD edhe në raporte tjera kishte theksuar se kohëzgjatja e procedurave gjyqësore mund të trajtohet edhe nga mungesa e një mjeti efektiv juridik ,i cili do t’iu ofronte qytetarëve tanë mbrojtjen efektive të së drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme.

“Në këtë situatë, qëllimi për të ndërtuar mekanizma që adresojnë këtë shkelje është jashtëzakonisht legjitim. Mekanizma të tilla synojnë mbajtjen përgjegjës të institucioneve për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare”, tha ai.

Shala tha se nga monitorimi sistematik që i bëjnë gjyqësorit, që nga 2013, mund të konkludojnë se shkaqet e shtyrjes së seancave janë objektive, që ndërlidhen me Gjykatat apo institucionet e tjera, dhe subjektive, që ndërlidhen me efikasitetin e gjyqtarëve, administrimin adekuat të rasteve, sjelljen e palëve, e të tjera.

Sipas tij, njëra ndër arsyet kryesore që shkakton vonesa në trajtimin e rasteve gjyqësore është ngarkesa e madhe e gjykatave me lëndë, situatë kjo që ka shkuar duke u përkeqësuar.

Për këtë rritje, ai tha se rolin kryesor e kanë lëndët e pranuara. Sipas tij, e gjithë kjo situatë, është ndikuar nga faktorë jashtë gjyqësorit nga moszbatimi i obligimeve të institucioneve publike që rrjedhin nga kontratat kolektive, që ka detyruar qytetarët që të drejtat e tyre t’i realizojnë përmes rrugës gjyqësore.

“Në vend se institucionet publike të përmbushnin këto obligime, ata kanë detyruar qytetarët që t’i drejtohen Gjykatës. Pos shkeljes së të drejtave të qytetarëve dhe dëmtimit të buxhetit, kjo situatë e ka ngarkuar gjyqësorin deri në këtë situatë”, u shpreh tutje Shala.

Ai shtoi se në mënyrë të njëjtë, Qeveria është duke vazhduar edhe me mosnjohjen e pensioneve të dyfishta. Përkundër që Ligji dhe praktika gjyqësore janë të qarta në këtë fushë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk po ua njeh qytetarëve këtë të drejtë. Për këtë arsye, qytetarët detyrohen t’i drejtohen Gjykatës.

Në anën tjetër, ai tha se përpos ngarkesës me lëndë, gjetjet e monitorimit të IKD-së dëshmojnë edhe shkaktarë të tjerë që krijojnë vonesa procedurale, e që ka të bëjë edhe mosadministrimi adekuat i lëndëve nga ana e gjyqtarëve, që konsiston në mosmarrjen e veprimeve procedurale sipas stadeve procedurale të përcaktuara me Ligji.

“Shtyrja e seancave gjyqësore, mosdërgimi me rregull i ftesave gjyqësore, pamundësia e dërgimit të ftesave në mënyrë elektronike, vonesat e lëndëve te ekspertët etj; janë disa nga problemet të cilat evidentohen në Koncept-Dokumentin për Kodin e Procedurës Civile”, u shpreh Shala.

Në anën tjetër, ai tha se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), thekson se në terma absolut, pa diskutim, adresimi më adekuat i shkeljes së gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor, është parandalimi.

“GjEDNj thekson se aty ku sistemi gjyqësor është i mangët në këtë drejtim, zgjidhja më efektive është një mjet juridik i krijuar për të përshpejtuar procedurat në mënyrë që të parandalohen që ato të zgjasin tepër”, tha ai.

Megjithatë, Shala tha se edhe GjEDNj theksoi se mjetet që duhet zgjedhur, duhet t’i përshtaten kontekstit specifik të situatës së gjyqësorit në një shtet të caktuar.

Sipas tij, nuk mund të merren modele nga vendet që nuk e kanë të theksuar këtë problem, për sistemet që e kanë pothuajse standard ku gjykimet janë shumë të gjata.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrë masa për ta kthyer gjyqësorin në binarë. Kuptohet, masat në asnjë rrethanë nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e Qeverisë dhe të ndërhyjnë në punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë”, tha Shala, duke shtuar që Qeveria së pari duhet të respektojë obligimet që ka.

Flamur Kabashi, hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të raportit “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm”-Problemet kushtetuese të Projektligjit aktual, ka thënë se Projektligji nuk përcakton situatë praktike në rastet kur afati prej 120 ditëve nuk është i mjaftueshëm.

“Projektligji nuk përcakton situatat praktike që mund të lindin, kur afati prej 120 ditëve nuk është i mjaftueshëm. Në praktikë shfaqen situata kur për përfundimin e rasteve nevojitet kohë më e gjatë. Për shembull, në rastet kur kemi të bëjmë me dhjetëra persona të akuzuar apo qindra dëshmitarë është e paarsyeshme të kërkohet nga gjyqtari përfundimi i rastit brenda afatit prej 120 ditëve. Në këto raste, përcaktimi i afatit prej 120 ditëve për zgjidhjen e rastit është i presupozuar që mos të zbatohet në praktikë”, sqaroi Kabashi.

Mes të tjerash, hulumtuesi i IKD-së, gjithashtu theksoi se kushtëzimi procedural për kompensim të dëmit për shkak të shkeljes së gjykimit brenda afatit kohor, rasteve ju krijon hapësirë të administrohen.

“Kushtëzimi procedural për kompensimin e dëmit për shkak të shkeljes së gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor me kërkesën për përshpejtimin e procedurës, lë të amnistuara rastet kur kjo e drejtë është shkelur, por gjyqtari nuk ka kërkuar përshpejtim të procedurës”, tha gjithashtu Kabashi.

Sipas Kabashit, kolegji prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme nuk mund të konsiderohet zgjidhje adekuate, pasi që, ai thotë se në këto raste tre gjyqtarët janë vartës të kryetarit të kësaj gjykate.

“Kolegji prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme nuk mund të konsiderohet zgjidhje adekuate për këtë situatë. Kjo pasi të tre gjyqtarët e Gjykatës Supreme në këtë rast janë vartës të Kryetarit të kësaj Gjykate. Kjo zgjidhje, sikurse nuk është aplikuar në raport me kryetarin e Gjykatës Themelore, nuk mund të aplikohet as në raport me kryetarin e Gjykatës Supreme”, shtoi ai. /EO/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit